Miratohet në Parlament ligji “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, ish-ndërmarrjet shtetërore, ish-ndërmarrjet bujqësore dhe ish-kooperativat bujqësore”.
Nisma e ndërmarrë nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka si qëllim njohjen automatike të periudhave të punësimit para vitit 1994 për punonjësit e ish-ndërmarrjeve dhe kooperativave bujqësore.
Miratimi i ligjit do të sjellë eliminimin e proceseve gjyqësore për rastet kur duhej të dëshmohej nëpërmjet dokumentacionit puna në ish-ndërmarrjet shtetërore.
Ministri i MEKI, Blendi Gonxhe, tha se nga miratimi i ligjit do të përfitojnë mbi 30 mijë individë në vit.
“Ky ligj eliminon burokracitë dhe shpenzimet që mijëra qytetarë janë detyruar të përballojnë për të provuar vjetërsinë në punë. Ai njeh automatikisht periudhat e punësimit para vitit 1994, duke shmangur proceset e gjata gjyqësore. Përmirëson jetën e mbi 30 mijë qytetarëve që lidhin pensionin çdo vit, duke u siguruar atyre të drejtat e plota që u takojnë. Përfaqëson një tjetër angazhim konkret për të ndarë frytet e rritjes ekonomike me të gjithë, veçanërisht me qytetarët në moshë pensioni.
Për shumë vite, një problematikë e trashëguar ka rënduar mbi qytetarët, të cilët, për shkak të keqmenaxhimit të dokumenteve shtetërore, nuk kanë mundur të dëshmojnë vitet e punës dhe kanë marrë pensione më të ulëta nga sa u takonte. Mijëra prej tyre janë detyruar të ndjekin rrugë të gjata ligjore për të fituar të drejtën e tyre, ndërsa shumë të tjerë nuk kanë pasur mundësi të kërkojnë atë që u takon.
Me këtë ligj, ky kapitull i kalvareve burokratike me mbi 3,000 procese gjyqësore në vit dhe i padrejtësisë mbyllet përfundimisht,” pohon Gonxhe.
Me miratimin e ligjit do të njihen automatikisht periudhat e punës për punonjësit që kanë punuar:
-Në institucione dhe ndërmarrje shtetërore deri më 01.10.1993
-Në ish-ndërmarrjet bujqësore deri më 17.10.1992
-Në ish-kooperativat bujqësore deri më 19.07.1991/ Monitor