Celulari i sekuestruar i Laert Haxhiut smartphone model Iphone, i cili u kap në qelinë e burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, është dërguar menjëherë në laboratorin digjital të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Hetuesit pritet të analizojnë pajisjen për të zbuluar komunikimet e mundshme të Haxhiut me individë të tjerë të botës së krimit.Laert Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm për rolin e tij në “Masakrën e Lushnjes”.
Pas ekstradimit nga Greqia, ai do të gjykohet veçmas edhe si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal, i dyshuar për kryerjen e 17 ngjarjeve të rënda në Shqipëri. Këto episode janë zbardhur nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani.
SPAK dyshon se gjatë qëndrimit në burgun e Drenovës, Haxhiu ka vijuar aktivitetin kriminal përmes komunikimeve të paligjshme nga qelia. Ky dyshim mund të çojë në kërkesën për vendosjen e tij nën regjimin e posaçëm të izolimit 41-bis.