Një përplasje fizike ka ndodhur sot në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, ku një avokat ka dhunuar një punonjës sigurie pas një konflikti në hyrje të institucionit. Sipas burimeve, avokati Redi Llanaj tentoi të hynte në gjykatë pa një njoftim të konfirmuar, duke u ndalur nga roja, i cili nuk kishte dijeni për ndonjë thirrje zyrtare ndaj tij. Refuzimi për të hyrë ka çuar në një debat verbal, i cili përshkallëzoi në dhunë fizike.
Pas incidentit, avokati u shoqërua në ambientet e policisë për të dhënë shpjegime. Redi Llanaj është gjithashtu i njohur për angazhimin e tij si avokat i Monika Kryemadhit. Ngjarja ndodh në një klimë të tensionuar në gjykatat e vendit, ku siguria e stafit dhe autoriteteve gjyqësore është vënë në pikëpyetje pas disa episodeve të fundit të dhunës dhe kërcënimeve.
Vetëm pak orë më herët, në Gjykatën e Apelit në Tiranë, një qytetar kërcënoi rojen e sigurisë me fjalët “jeni për t’u vrarë të gjithë”. Ky incident vjen pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja më 6 tetor 2025 brenda ambienteve të po kësaj gjykate – një ngjarje që tronditi sistemin gjyqësor dhe ngriti shqetësime serioze për sigurinë në institucionet e drejtësisë.

Tek Apeli pas Vrasjes prangoset një tjetër i dyshuar – Kërcënoi me vrasje
Një person është shoqëruar nga Policia e Tiranës pasi ka kërcënuar punonjësin e sigurisë në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm në kryeqytet. Gentian Mali ka qenë duke pritur punonjësin e sigurisë, i cili duhej ti ushtronte kontroll që të futej brenda në ambientet e gjykatës. Por, Mali është nervozuar nga pritja dhe mësohet se ka pasur një debat verbal me punonjësin e sigurisë, të cilit me tone kërcënuese i është drejtuar me fjalët “jeni për tu vrarë të gjithë”.
Gentian Mali kërkonte të futej në ambientet e gjykatës për të marrë informacion për një gjyq që kishte i vëllai i tij. Duke qenë se punonjësi i sigurisë nuk ishte aty në momentin që Mali duhej të kalonte detektorin, ai është nervozuar, duke pretenduar se po vonohej pasi ishte shofer furgoni që shoqëronte fëmijë.
REAGIMI DHOMËS
Reagim i Dhomës Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë për Incidentin në Gjykatën e Vlorës
Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë dënon incidentin e dhunës në të cilin është përfshire avokati Redi Llanaj, anëtar i Dhomës së Avokatisë, Vlorë në ambjentet e Gjykatës së Vlorës.
Dhoma e Avokatisë së Shqipërise distancohet nga kjo ngjarje duke e vlerësuar atë të padenjë dhe të pahijshme për figuren e Avokaktit. Në të njëjtën kohë ndjejmë keqardhje që ky incident ka ndodhur në ditën e bojkotit të vendosur nga DHASH, pikërisht për të ndalur fenomënin e dhunës ndaj funksionarëve dhe punonjësve në sistemin e drejtësisë, nisur nga vrasja e Gjyqtarit Astrit Kalaja.
DHASH njofton të gjithë avokatët dhe opinionin publik se po e ndjek me shqetesim dhe seriozitet këte ngjarje dhe do të ndërmarë të gjitha masat e nevojshme per të trajtuar rastin e këtij avokati. Ne te njejten kohe, inkurajojmë institucionet përkatëse të hetojnë dhe të zbardhin këte incident të shëmtuar.
KRYETARI
Prof. Dr. Maksim HAXHIA

















































































































