Raportimi në media se i përzgjedhuri për gjyqtar kushtetues, magjistrati Asim Vokshi, ka qenë agjent i shërbimeve sekrete dhe e ka fshehur këtë edhe me ndihmën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), ka sjellë një valë reagimesh.
Lajmi Publikuar në TopChannel
I pari reagoi vetë Vokshi, duke e cilësuar lajmin si një fake news, ndërsa KED në një deklaratë zyrtare theksoi se nuk bie pre e presionit dhe ndikimeve të paligjshme.

Si u përzgjodh Asim Vokshi
Procesi i përzgjedhjes së Asim Vokshit si kandidat për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese u zhvillua në bazë të vlerësimeve të bëra nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi gjatë muajve shtator–tetor 2025.
Sipas pikëzimit zyrtar të publikuar nga KED, Asim Vokshi me 89.5 pikë
Naureda Llagami me 89.3 pikë
Florian Ballhysa me 77.83 pikë
Alma Faskaj me 77.77 pikë
Genta Tafa (Bungo) me 75.44 pikë
Alban Toro me 74.22 pikë,
ndërsa dokumentacioni përfundimtar u dërgua për dekretim pranë Presidentit të Republikës më 8 nëntor 2025.
Pas këtij vendimi, Vokshi u shpall i përzgjedhuri zyrtar për një nga vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Deklarata Zyrtare e KED
DEKLARATË PËR MEDIAN
Kushtetuta dhe ligji garantojnë lirinë e medias dhe të drejtën e informimit, por njëkohësisht kërkojnë ushtrimin e tyre me përgjegjësi, pa abuzim dhe pa cenuar të drejtat e të tjerëve apo rendin publik.
Në vijim të publikimit të bërë nga “Top Channel”, që ka tejkaluar kufijtë e ushtrimit të përgjegjshëm të kësaj lirie, përmes akuzave të pabazuara dhe pretendimeve të rënda, të pavërteta dhe shumë të rrezikshme, që cenojnë figurën e magjistratëve të përmendur dhe autoritetin e organeve kushtetuese, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vlerëson të nevojshme të informojë opinionin publik për disa fakte themelore.
Indikacionet paraprake tregojnë se ky publikim mbështetet mbi të dhëna të rreme, të marra nga burime të dyshimta, në kufijtë e shkeljeve penale. Sa më sipër përbën një devijim serioz nga standardet ligjore dhe etike të informimit publik, ndërsa mbetet i paqartë qëllimi i vërtetë i lajmit.
- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Kryetari i tij nuk kanë fshehur asnjë informacion
Çdo veprim dhe vendimmarrje e Këshillit është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe është formalizuar me vendime të miratuara, të cilat publikohen në mënyrë të rregullt në faqen zyrtare të KED, në respekt të parimit të transparencës dhe llogaridhënies publike. Një gjë e tillë nuk ka gjetur pasqyrim në raportimin mediatik të lartpërmendur. - Administrimi i informacionit të klasifikuar
Ligji përcakton qartë se të dhënat që prekin sigurinë kombëtare administrohen në mënyrë të posaçme dhe nuk mund të bëhen publike. Këshilli, duke respektuar rreptësisht detyrimet ligjore për ruajtjen e konfidencialitetit, ka verifikuar se të dhënat e përcjella ishin të pabazuara dhe nuk kishin asnjë ndikim ligjor apo faktik në vlerësimin e kandidatit. - Cenim i reputacionit institucional dhe i figurës së magjistratit
Publikimi i djeshëm përbën një akt të papërgjegjshëm, që cenon rëndë integritetin e magjistratëve, autoritetin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe të institucioneve të tjera kushtetuese. Përhapja e të dhënave të klasifikuara ose interpretimi i shtrembëruar i tyre përbën shkelje të ligjit dhe dëmton besimin e publikut te institucionet kushtetuese. - Nevoja për verifikim të burimit të informacionit
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i kërkon organeve kompetente të verifikojnë menjëherë mënyrën se si është siguruar dhe shpërndarë informacioni i pavërtetë që mund të përmbajë të dhëna të klasifikuara, si dhe të vlerësojnë përgjegjësitë ligjore që rrjedhin nga ky veprim për efekt të ndjekjes penale ose administrative, në përputhje me parimet e përgjegjësisë dhe etikës publike. - Përkushtim ndaj ligjit dhe transparencës
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi siguron opinionin publik se mbetet i përkushtuar që çdo proces të zhvillohet me paanësi, profesionalizëm dhe respekt të plotë për ligjin, i pandikuar nga asnjë formë presioni apo ndërhyrje të paligjshme, duke garantuar që vlerësimi i kandidaturave të bëhet mbi baza të dokumentuara, të verifikueshme dhe në përputhje me parimet kushtetuese.
KËSHILLI I EMËRIMEVE NË DREJTËSI
Tiranë, 10 nëntor 2025

















































































































