Në kuadër të përkushtimit për barazinë gjinore, mbrojtjen dhe sigurinë digjitale të grave, Fondacioni Vodafone në Shqipëri, në bashkëpunim me Fondacionin Westminster për Demokraci dhe organizatat e shoqërisë civile, organizoi në Tiranë një tryezë të nivelit të lartë kushtuar fuqizimit të grave dhe rolit të inovacionit digjital, në mbrojtje të tyre.
Takimi ku morën pjesë përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, drejtues të institucioneve publike dhe private, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe aktorë të fushës së barazisë gjinore, synoi të ndërthurë ekspertizën teknologjike me përvojën institucionale, për të promovuar mekanizma të qëndrueshëm, që kontribuojnë në parandalimin e dhunës me bazë gjinore.
Në qendër të diskutimeve ishte aplikacioni Bright Sky Albania, një nismë e Fondacionit Vodafone, që ofron informacion, mbështetje dhe këshilla praktike për gratë dhe vajzat, që ndihen të rrezikuara nga dhuna.



E pranishme në këtë takim, drejtoresha e Fondacionit Vodafone, Lisa Felton, theksoi rëndësinë e teknologjisë si mjet për fuqizim dhe mbrojtje: “Ne si Vodafone besojmë se përmes teknologjisë mund të adresojmë çështje që lidhen me dhunën me bazë gjinore, abuzimet dhe çështje që lidhen me arsimin dhe me shëndetin. Aplikacioni Bright Sky është një shembull konkret që u ofron vajzave dhe grave, që përjetojnë dhunë, informacione, mbështetje dhe këshilla praktike për t’u larguar nga situata të rrezikshme.”- tha drejtoresha e Fondacionit Vodafone.
Valbona Kuko, drejtoreshë për Shqipërinë e Fondacionit Westminster për Demokraci, theksoi se dhuna me bazë gjinore ndaj grave në politikë mbetet një nga sfidat kryesore që pengon përfshirjen e tyre në jetën publike. “Fondacioni Westminster për Demokraci ka vite që trajton dhe mbështet aktorët e politikës, shoqërinë civile e median, për ta kthyer çështjen e dhunës me bazë gjinore në politikën e ditës dhe për të ndërgjegjësuar politikanët dhe aktivistët, biznesin, median se çështjet e barazisë gjinorë nuk janë çështje familjare. Ato duhet të trajtohet me politikbërje, me legjislacion të mirë dhe me instrumente të qenësishëm për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve. Aplikacioni Bright Sky, por edhe platforma që Fondacioni Westminster për Demokraci ka ngritur, për të raportuar dhunën ndaj vajzave dhe grave, janë instrumente, të cilat duhet të përdoren, për raportim të çështjeve që institucionet përgjegjëse duhet t’i adresojnë dhe t’i zgjidhin.”- përfundoi Kuko.
Në këtë tryezë morën pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, Eduart Shalsi, Milva Ekonomi, Iris Luarasi; Kryetarja e Bordit të Fondacionit Vodafone në Shqipëri, Jonida Lakuriqi; përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ina Majko zëvendësministre; të Ministrisë së Brendshme; drejtuesit e institucioneve të pavarura, Erinda Ballanca, Avokati i Popullit dhe Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimin. Gjithashtu në këtë event kontribuan edhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, Michele Ribotta UN Women Albania si edhe të shoqërisë civile, Mirela Arqimandriti, drejtoreshë Ekzekutive e Aleancës Gjinore për Zhvillim.
Përmes kësaj nisme, Fondacioni Vodafone Albania është pozicionuar si një aktor kyç në fushën e inovacionit me impakt social, duke e kthyer teknologjinë në një mjet konkret për sigurinë, mbrojtjen dhe fuqizimin e grave.
Kjo tryezë shënon një hap të rëndësishëm në ndërtimin e një ekosistemi bashkëpunues ndërmjet sektorit publik, privat dhe shoqërisë civile, për një të ardhme digjitale më të sigurt dhe më të barabartë, për të gjitha gratë dhe vajzat në Shqipëri.



















































































































