Fluturimet komerciale përbëjnë një tregues të rëndësishëm për ecurinë e turizmit dhe lëvizjen e popullsisë, si vendase ashtu edhe të huaj. Shqipëria ka shënuar një rritje të konsiderueshme të tyre, veçanërisht vitet e fundit, kur vendi është bërë gjithnjë e më i popullarizuar nga vizitorët e huaj.
Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Statistikave, në tetor të vitit 2025 Shqipëria ka regjistruar një rritje prej 173% të fluturimeve komerciale krahasuar me tetorin e periudhës para pandemisë, duke u renditur kështu me rritjen më të lartë në rajon dhe në gjithë Evropën.
Nëse i referohemi periudhës 10-mujore, Shqipëria vijon të kryesojë për rritjen e numrit të fluturimeve komerciale krahasuar me periudhën para pandemisë. Për çdo muaj të vitit 2025 është regjistruar një rritje e vazhdueshme, madje edhe krahasuar me një vit më parë. Mesatarisht, gjatë dhjetë muajve të parë të vitit, numri i fluturimeve komerciale është rritur me 155.7%, duke arritur kulmin në muajin tetor.

Në nivel rajonal, pas Shqipërisë renditet Bosnjë-Hercegovina, me një rritje prej 55.6%, e ndjekur nga Serbia me 35.6%. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rritje më të moderuara, përkatësisht 20.8% dhe 29%.
Në shkallë evropiane, pas Shqipërisë renditet Islanda, ndërsa Bosnjë-Hercegovina zë vendin e tretë. Rritje të numrit të fluturimeve janë regjistruar gjithashtu në Slloveni dhe Poloni. Megjithatë, jo të gjitha vendet kanë shënuar rritje në disa shtete, përqindjet janë negative. Suedia dhe Letonia kanë pësuar rënien më të madhe, me -27%, ndërsa Finlanda ka shënuar një ulje prej -22.5%. Situata mbetet jo pozitive edhe për Norvegjinë dhe Gjermaninë, ku fluturimet komerciale kanë shënuar rënie krahasuar me periudhat e mëparshme.

















































































































