Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njoftoi se të shtunën, më 22 nëntor 2025, në orën 09:00, do të zhvillohet seanca gjyqësore për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurisë për të pandehurit Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025 të Prokurorisë së Posaçme.
Seanca vjen një ditë pas masave të dhëna në mungesë, të cilat kanë shkaktuar reagime të shumta politike dhe institucionale, veçanërisht për pezullimin e përkohshëm nga detyra të ish-zëvendëskryeministres Balluku.
Reagimi i Ramës: “Pavarësia e gjyqësorit është një shkëputje historike”
Në një reagim publik, kryeministri Edi Rama theksoi se zhvillimet e fundit nuk duhet të cenojnë parimin e pavarësisë së drejtësisë, të cilin ai e cilësoi si një nga arritjet kryesore të reformës:
“Pavarësia e gjyqësorit nuk është slogan apo manovër politike, por një shkëputje historike nga e kaluara që ka varrosur kulturën e pandëshkueshmërisë. Megjithatë, ky pushtet i ri ka shfaqur edhe dobësi dhe reflekte antidemokratike.”
“Reflekse antidemokratike”, por qëndrimi i qeverisë mbetet i matur
Rama theksoi se, pavarësisht kostove që këto vendime mund të sjellin për vendin, qeveria nuk do të bëjë asnjë veprim që të perceptohet si ndërhyrje:
“Kurrë nuk duhet hedhur fëmija me ujin e pistë. Mbrojtja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë është parakusht për çdo qëndrim tonin.”
“Rast unik në historinë e Europës”: Pezullimi i një ministre nga gjyqtari dhe prokurori
Kryeministri e konsideroi të paprecedentë vendimin e pezullimit nga detyra të një ministri dhe zëvendësministri:
“Ky është rast unik në historinë e Europës dhe në historinë e trupave speciale të vendeve të ish-lindjes. Nuk ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe gjykatës të pezullojnë një anëtar qeverie, duke marrë kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe parlamentit.”
Ai shtoi se qeveria nuk do të hyjë në konflikt retorik me drejtësinë:
“Nuk mund t’u përgjigjemi arbitrarëve me arbitraritet. Do të vazhdojmë me durimin tonë strategjik dhe çështjen do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese.”
Ky është ankimi i plotë depozituar në Kushtetuese nga Kryeminstri Rama:
21.11.2025
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë
Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave. 2. Shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GjKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. 3. Pezullimin e efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. 4. Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.”
Gjyqtari Relator
z.Sandër BECI
Lexo më shumë

















































































































