Avokatët janë ulur në një tryezë me Ministrinë e Drejtësisë dhe Grupin e Punës për Kodin Penal, ku të pranishëm ishin ministri i Drejtësisë, anëtarët e grupit të punës për hartimin e draft-kodit, përfaqësues dhe struktura drejtuese e Dhomës së Avokatisë, si edhe avokatë të tjerë. Në këtë takim është diskutuar për vijimin e projektit të hartimit të Kodit të ri Penal.

Sipas WebLajm.com, në emër të Dhomës së Avokatisë, Prf.Dr Maksim Haxhia ka deklaruar se më emergjente se një kod i ri penal është ndërhyrja dhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe atë Civile. Në emër të Dhomës dhe avokatëve, z. Haxhia ka kërkuar që nga drafti të hiqet çdo nen që cenon ushtrimin e profesionit dhe veprimtarisë së avokatisë dhe avokatëve në Republikën e Shqipërisë.

Ndërkohë, kryetarët e dhomave të avokatisë në rang vendi kanë kërkuar që ky kod të rishkruhet dhe që ata të përfshihen me sugjerimet e tyre si palë dhe ofrues të shërbimeve të drejtësisë. Pritet që javën e ardhshme Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, përmes grupeve të punës për hartimin e draftit, të depozitojë me shkrim rekomandimet dhe vërejtjet e saj për gjithçka që konsiderohet e ndërtuar gabim në projektin me 900 nene.

















































































































