Ish-deputeti i PDIU për qarkun e Elbasanit, Aqif Rakipi, kërkoi që një pjesë e ligjit të dekriminalizimit, mbi të cilin ai humbi mandatin, të anulohej si një shkelje dhe si një nen i pabazuar.
Në ankimin e tij, ish-deputeti kërkoi që pikërisht ky paragraf:
“Pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota dhe të pasakta në të kaluarën përjashton menjëherë dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik”
të anulohej.
Por, Gjykata e Lartë nuk e pranoi ta merrte në shqyrtim, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit Administrativ, i cili më herët kishte vendosur moslegjitimin e ish-deputetit.
Sipas gjykatës, në kohën e padisë Rakipi nuk kishte më statusin e deputetit dhe, për më tepër, nuk ishte prekur asnjë e drejtë e tij. Prandaj, Apeli e kishte hedhur poshtë ankimin.
Rreth çështjes dhe pretendimet e palëve
Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar padinë e ish-deputetit Aqif Rakipi, i cili kundërshtoi procedurën e ndërprerjes së mandatit të tij dhe mënyrën e zbatimit të ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Çështja nisi pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 14 shkurt 2017, i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme verifikim të thelluar të të dhënave të Rakipit si subjekt deklarues. Në përfundim të verifikimeve, Prokuroria konstatoi se ai ishte në kushtet e ndalimit për të ushtruar funksionin e deputetit dhe ia përcolli këtë vendim KQZ-së më 26 dhjetor 2017.
Më 4 janar 2018, Rakipi iu drejtua Gjykatës Administrative të Apelit me një padi për shfuqizimin e pjesshëm të vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, akt të cilin e konsideronte si tejkalim të kompetencave ligjore dhe të përmbajtjes së ligjit 138/2015. Sipas tij, ky akt nënligjor normativ ishte bazë e padrejtë për procedurën që çoi në ndërprerjen e mandatit të tij. Ai argumentoi se kishte interes të drejtpërdrejtë, pasi në kohën e paraqitjes së padisë kishte nisur procedura për ndërprerjen e mandatit në KQZ.
Gjykata Administrative e Apelit, me vendimin nr. 47, datë 10 prill 2018, vendosi mospranimin e padisë. Në arsyetim, gjykata theksoi se vendimi nr. 17/2016 i Kuvendit është akt administrativ normativ dhe se Kuvendi kishte kompetencën ligjore të nxirrte rregullat e detajuara për zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin për integritetin e funksionarëve publikë. Gjykata vlerësoi se padia ishte paraqitur brenda afatit ligjor dhe se fillimisht Rakipi kishte legjitimitet për t’u ankuar, pasi në momentin e depozitimit të padisë (04.01.2018) ai ende ushtronte funksionin e deputetit.
Megjithatë, ky interes u konsiderua i humbur pas datës 5 janar 2018, kur KQZ vendosi pavlefshmërinë dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të tij. Sipas gjykatës, interesi i paditësit duhet të ekzistojë jo vetëm në kohën e ngritjes së padisë, por edhe gjatë gjithë procesit gjyqësor. Si pasojë, ndryshimi i rrethanave çoi në konkluzionin se Rakipi nuk kishte më interes për të vijuar me padinë, duke e bërë kërkesën e tij të papranueshme.
Në këtë mënyrë, Gjykata e Apelit la në fuqi në mënyrë të tërthortë veprimin e institucioneve që çuan në ndërprerjen e mandatit të ish-deputetit, si dhe vlefshmërinë e kuadrit ligjor që rregullon ndalimet për funksionet publike.
















































































































