Gjykata e Posaçme ka lehtësuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për mjekun Edmond Gashi, duke e liruar kundrejt garancisë 20 milionë lekë, teksa i është bllokuar pasaporta, për të mos u larguar jashtë vendit. 
Masa ndaj tij u zëvëndësua me “detyrim paraqitjeje”.
Mjeku akuzohet se drejtonte pacientët me kancer nga spital shtetëror QSUT tek klinika e tij private “Megis”. Nën hetim dhe akuzë me masa të ndryshme janë edhe 7 mjekë dhe një biznesmen.
Vendimi GJKKO
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË
PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
NJOFTIM PËR MEDIAT
- Kërkuesi Edmond Gashi me datë 04.11.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën
 me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit nga “arrest në shtëpi”, parashikuar nga
 neni 237 i K.Pr.Penale, në një masë më të lehtë siç është ajo e “detyrimit për t’u paraqitur
 në policinë gjyqësore” ose “garancia pasurore” të parashikuara nga nenet 234 e 236 të
 K.Pr.Penale”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
 Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Ardit Mustafaj, bazuar në
 nenet 228 e vijues, 233, 236 dhe 260, pikat 2 dhe 4 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 627,
 datë 08.11.2024, vendosi:
- Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”, të caktuar ndaj
 personit nën hetim Edmond Gashi me vendimin nr. 84 regj.them., datë 24.07.2024,
 të kësaj gjykate, me masën e sigurimit personal “garancia pasurore” të parashikuar
 nga neni 236 i K.Pr.Penale, duke urdhëruar depozitimin e garancisë pasurore në
 shumën **** lekë brenda 10 ditëve nga shpallja e këtij vendimi.
- Caktimin ndaj personit nën hetim Edmond Gashi të masës së sigurimit personal
 “ndalim i daljes jashtë shtetit” të parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale.
  Personit nën hetim Edmond Gashi i ndalohet përdorimi i pasaportës dhe
 dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, duke
 marrë prokurori masa për bllokimin e këtyre dokumenteve personit nën hetim.
- Personi nën hetim Edmond Gashi do të vijojë të qëndrojë në masën e sigurimit
 “arrest në shtëpi” deri në depozitimin e garancisë pasurore.
- Për depozitimin e garancisë pasurore të njoftohet prokurori, i cili të zbatojë
 parashikimet e nenit 236, pika 5, të K.Pr.Penale.
- Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin
 dhe Krimin e Organizuar, brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit.
 Tiranë, më datë 08.11.2024
 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar




 
                                








 
			
































































































