Gjykata e Posaçme shpall vendimin për çështjen e inceneratorit të Tiranës: Dënime dhe ndalime për funksione publike.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur sot vendimin për çështjen e inceneratorit të Tiranës, duke dhënë dënime për disa ish-zyrtarë dhe funksionarë publikë.
Lefter Koka është dënuar me 3 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i është ulur me 1/3. Në fund, gjykata ka vendosur shuarjen e masës së sigurimit, ndërsa Koka nuk do të ketë të drejtë të ushtrojë funksione publike për 5 vite.
Bledar Karoli është dënuar me 3 vite burg, të cilat, pas uljes për gjykim të shkurtuar, janë reduktuar në 2 vite. Ai do të jetë i ndaluar nga funksionet publike për një periudhë 5-vjeçare. Gjykata vendosi gjithashtu shuarjen e masës së arrestit në burg.
Taulant Tushe ka marrë po ashtu një dënim prej 3 vitesh, i ulur në 2 vite pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Ai është ndaluar për 5 vite nga funksionet publike dhe i është hequr masa e sigurimit të arrestit në burg për dosjen Inceneratori.
Namik Simixhiu është dënuar me 3 vite burg, të cilat janë ulur në 2 vite pas gjykimit të shkurtuar. Atij i është hequr masa e arrestit dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.
Valbona Ballgjini është dënuar me 2 vite burg, të cilat, për shkak të gjykimit të shkurtuar, janë konvertuar në shërbim prove për një kohë të barabartë me dyfishin e pjesës së mbetur të dënimit. Edhe ajo është ndaluar nga funksionet publike për 5 vite.
Sidita Kopliku ka marrë një dënim prej 1 vit e 6 muajsh, i reduktuar në 1 vit burg për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ky dënim është konvertuar në punë në dobi të komunitetit. Asaj i është ndaluar gjithashtu ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite.
Jetmir Llapaj është shpallur i pafajshëm nga Gjykata.
Fatjon Murati është dënuar me 3 vite burg, të cilat janë ulur në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ai gjithashtu do të jetë i ndaluar nga funksionet publike për 5 vite.
Dy prej të pandehurve, Lefter Koka dhe Taulant Tushe, mbeten në burg, për shkak të proceseve të tjera penale ndaj tyre. Ndërkoh SPAK për këtë dosje ka edhe franksion ende në hetim e sipër.