Për herë të parë pas 3 vitesh luftë, Rusia dhe Ukraina ulen sot në tryezën e bisedimeve, të cilat do të mbahen në Turqi.
Bisedimet nuk ka gjasa të japin rezultate të menjëhershme. Megjithatë, një takim i drejtpërdrejtë midis Kievit dhe Moskës në çdo nivel do të shënonte një moment historik në konfliktin e armatosur.
Edhe pse ishte përfolur që mund të merrnin pjesë, Vladimir Putin dhe Volodimir Zelenski nuk do të jenë të pranishëm në këto bisedime.
Bisedimet u propozuan për herë të parë nga Putini në përgjigje të ultimatumit të armëpushimit ose sanksioneve të vendosura ndaj Moskës nga aleatët evropianë të Ukrainës, kur udhëheqësit e Gjermanisë, Francës, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kërkuan që Rusia të pranonte një propozim për armëpushim 30-ditor ose të përballej me një raund të ri sanksionesh masive.
Putini e injoroi ultimatumin, duke propozuar në vend të tij “bisedime të drejtpërdrejta” midis Rusisë dhe Ukrainës.
Putini nuk po sugjeronte një takim kokë më kokë me homologun e tij ukrainas. Ai tha se donte një rifillim të bisedimeve që u zhvilluan në Pranverën e vitit 2022 dhe ku morën pjesë diplomatë të nivelit të lartë, por jo vetë udhëheqësit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar presionin duke sugjeruar se edhe ai mund të shkojë, “nëse është e dobishme”. Kjo ide u mbështet nga Zelensky, i cili tha se Ukraina do të ishte mirënjohëse për praninë e Trump. Trump i tha gjithashtu CNN të mërkurën se Putini “do të donte që unë të isha atje”.
Por dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë i thanë CNN se Trump nuk planifikon të udhëtojë në Turqi.