Ish-presidenti anerikan Joe Bide është diagnostikuar me një “formë agresive” të kancerit të prostatës që është përhapur në kocka, njoftoi zyra e tij personale të dielën.
82-vjeçari u vizitua javën e kaluar nga mjekët pasi pati simptoma urinare dhe iu zbulua një nodul në prostatë. Biden dhe familja e tij po shqyrtojnë opsionet për trajtim.
“Edhe pse kjo përfaqëson një formë më agresive të sëmundjes, kanceri duket se është i ndjeshëm ndaj hormoneve, gjë që mundëson një menaxhim efektiv,” thuhet në njoftimin e zyrës së tij. “Presidenti dhe familja e tij po shqyrtojnë opsionet e trajtimit së bashku me mjekët e tij.”
Kanceret e prostatës vlerësohen me një shkallë të quajtur “shkalla Gleason”, dhe që maksimalja është shkalla 10. Zyra e Biden tha se ai kishte një shkallë nëntë, gjë që tregon se kanceri i tij është ndër më agresivët.
Kur kanceri i prostatës përhapet në pjesë të tjera të trupit, ai shpesh përhapet në kocka. Kanceri i metastazuar është shumë më i vështirë për t’u trajtuar sesa kanceri i lokalizuar, sepse barnat mund të kenë vështirësi në arritjen e të gjitha tumoreve dhe në zhdukjen e plotë të sëmundjes.
Megjithatë, kur kanceret e prostatës kanë nevojë për hormone për t’u rritur, si në rastin e Biden, ato mund të jenë të ndjeshme ndaj trajtimeve që i privojnë tumoret nga hormonet.
Pasardhësi i Bidenit, Donald Trump, shprehu shqetësimin në emër të tij dhe zonjës së parë Melania Trump për rivalin e tij politik.
“Melania dhe unë jemi të trishtuar kur dëgjuam për diagnozën e fundit mjekësore të Joe Biden,” shkroi presidenti në platformën e tij Truth Social.
“I dërgojmë urimet më të përzemërta dhe më të mira [ish-zonjës së parë] Jill Biden dhe familjes, dhe i urojmë Joe një shërim të shpejtë dhe të suksesshëm.”