Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, ku një hidraulik ka humbur jetën gjatë punës.
Mësohet se shtetasi B. H., 52 vjeç, ishte duke punuar në banesën e shtetasit F. H., ku po kryente punime për çmontimin dhe heqjen e bojlerit të ujit.
Gjatë procesit të punës, bojleri është shkëputur papritur dhe ka goditur në kokë hidraulikun, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, 52-vjeçari ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Specialistët e Komisariatit Nr. 2 kanë kryer veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vlerësim dhe veprime të mëtejshme ligjore.
Kjo ngjarje në dukje aksidentale nxjerr në pah, kushtet e punëtorëve pa siguracion, punimeve pa leje dhe kontrollin inekzistent të inspektoriateve.