Finalizohet operacioni antidrogë “Pako 6” – Arrestohet Dhimitër Shehu, tentoi të trafikonte 19.4 kg kanabis nga Tajlanda
Një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike është goditur nga strukturat e Policisë së Shtetit, në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin e hyrjes së drogave të forta në vend.
Operacioni policor i koduar “Pako 6”, i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Rinas, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, çoi në arrestimin në flagrancë të shtetasit Dhimitër Shehu, 39 vjeç, banues në fshatin Kras, Tepelenë.
Sipas të dhënave zyrtare, Dhimitër Shehu mbërriti në Shqipëri nga Tajlanda, nëpërmjet Pikës Kufitare të Rinasit, duke transportuar në një valixhe një sasi prej 19.4 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa me përqindje të lartë të substancës aktive THC. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Operacioni u zhvillua pas hetimeve proaktive dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, që çuan në regjistrimin e procedimit penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Policia e Shtetit bën me dije se hetimet po vijojnë me intensitet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të mundshëm trafikimi.