KPA dhe 41 vendimet e pazbardhura: Paaftësi, neglizhencë apo strategji për të zgjatur pushtetin përtej mandatit?Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA), organi më i lartë i vettingut në Shqipëri, është aktualisht në një situatë serioze që cënon jo vetëm funksionimin e drejtësisë, por edhe besueshmërinë e të gjithë procesit të rivlerësimit.
Deri në 26 maj 2025, KPA ka 22 vendime të pazbardhura nga vendimet e shpallura gjatë vitit 2024, si dhe 19 vendime të tjera të shpallura përgjatë vitit 2025 për të cilat ka kaluar tashmë afati 60-ditor për zbardhje, i parashikuar në rregulloren e brendshme të miratuar nga vetë KPA.Kjo nuk është një problem teknik apo një vonesë e rastësishme. Në një trupë ku çdo gjyqtar ka prodhuar mesatarisht 9-10 vendime në vit, ose 1 vendim në muaj, moszbardhja e vendimeve është e patolerueshme. Ajo përbën një shkelje flagrante të parimeve të transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit institucional.
Situata është edhe më shqetësuese kur merret parasysh se mandati kushtetues i KPA-së përfundon në qershor 2026, ndërkohë që:Ka ende çështje të patrajtuara;Numri i vendimeve të shpallura por jo të zbardhura shtohet çdo muajKëto vonesa i hapin rrugë spekulimeve të arsyeshme se kemi të bëjmë me një strategji të qëllimshme për të justifikuar zgjatjen e mandatit të KPA-së përtej afatit kushtetues, duke pretenduar se procesi ende nuk ka përfunduar. Kjo qasje cënon parimin themelor të përkohshmërisë së organeve të jashtëzakonshme të rivlerësimit dhe ngre dyshime serioze për kapje institucionale apo ruajtje të privilegjeve personale.Kujtojmë se KPA është një nga organet më të financuara të sistemit të drejtësisë shqiptare.
Shtetit shqiptar i kushton rreth 2.773 milion lekë në vit, me një organikë prej 65 punonjësish, përfshirë: 7 këshilltarë juridikë dhe 7 këshilltarë ekonomikëMe këtë nivel financimi dhe kapaciteti njerëzor, mungesa e zbardhjes së vendimeve nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë, përveçse si shfaqje e mungesës së vullnetit apo e një strategjie të vetëdijshme për të vonuar përfundimin e mandatit.Është momenti që institucionet e tjera, përfshirë Kuvendin, Presidentin, median dhe opinioni publik të kërkojnë llogari. Nuk mund të lejohet që një trupë me mandat kushtetues të zgjatet artificialisht përmes vonesave që bien ndesh me vetë ligjin që e krijoi atë.KPA, që u ngrit për të garantuar drejtësi të pavarur dhe të pastër, rrezikon të mbahet mend si simbol i ngadalësisë, mungesës së përgjegjësisë dhe zvarritjes së drejtësisë.
Nga Alfred Balla