Administrata Tatimore ka nisur një fushatë të re kontrolli ndaj individëve që kanë blerë automjete luksoze gjatë viteve 2023–2024, por që nuk figurojnë të regjistruar si tatimpagues ose nuk kanë të ardhura të deklaruara në përputhje me vlerën e mjeteve të tyre.
Sipas të dhënave të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, rreth 400 automjete luksoze janë regjistruar nga persona pa të ardhura të deklaruara. Kjo ka vënë në lëvizje Drejtorinë e Kontrollit të Specializuar pranë AT-së, e cila tashmë ka nisur një verifikim të thelluar përmes analizës së:
- Të ardhurave të deklaruara nga individët,
- Përputhjes së tyre me vlerën e pasurive të zotëruara,
- Dokumentacionit justifikues të burimit financiar.

Sistem i ri për kontroll në kohë reale
Për të rritur efikasitetin në identifikimin e shkeljeve, Administrata Tatimore ka përfunduar së fundmi një marrëveshje me DPSHTRR, e cila mundëson kërkimin në kohë reale të të dhënave mbi mjetet e tatimpaguesve përmes sistemit të saj informatik.
Kjo risi do të mundësojë vendosjen më të shpejtë të masave të sigurimit mbi mjetet për individët që kanë detyrime tatimore të papaguara dhe do të lehtësojë procedurat për mbledhjen me forcë të borxheve.
Thirrje për deklarim dhe transparencë
Administrata Tatimore u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të përmbushin detyrimet tatimore në mënyrë vullnetare, për të shmangur penalitetet dhe bllokimet e mundshme të pasurive.
Në të njëjtën kohë, AT paralajmëron se çdo transaksion shit-blerjeje automjetesh duhet të realizohet me kujdes, pasi mjetet që i përkasin tatimpaguesve debitorë mund të jenë subjekt i masave të sigurimit. Çdo akt i firmosur në keqbesim për të shmangur detyrimet tatimore, do të konsiderohet i pavlefshëm me pasoja ligjore.