Shpërfytyrohet vendvuajtja më e ashpër e regjimit komunist, në ish-burgun e Spaçit po betonizohet memoria.
E ashtuaquajtura “Ndërhyrje konservuese-restauruese” nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ka aprovuar një projekt “restaurimi” por që në fakt nga kritikët dhe njohësit e arkitekturës dhe historisë, e konsiderojnë si një projekt që nuk përfaqëson aspak identitetin dhe origjinalitetin, dhe mbi të gjitha simbolikën që ka për Mirditën dhe krejt Shqipërinë, një nga kampet më ogurzeza që kujtojnë dramën e qindra-mijëra të përvuajturve e familjarëve të tyre, nga e gjithë Shqipëria dhe nga i çdo besimi, që vuajtën dhe u internuan nën muret e fohta të Spaçit.
Njohësit e historisë dhe një pjesë e intelektualëve të vendit, e konsiderojnë si një investim që mbulon rrënjët e historisë dhe të vërtetës së dhimbshme të vendit, përmes shndërrimit të një prej memorieve që kujton regjimin më gjakatar ka njour Shqipëria për më shumë se 45 vjet, në hoteleri.
Ata kërkojnë ruajtjen e origjinalitetit dhe kthimin e gërmadhave në një pikë takimi të shqiptarëve dhe kureshtarëve nga e gjithë bota me të shkuarën, siç ka qenë, dhe jo siç mund të shihet përmes këtyre ndërhyrjeve prej betoni, që e shndërrojnë thjeshtë dhe vetëm për interesa financiare, duke zhdukur çdo gjurmë. Burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri.
Burgu i Spaçit është një monument i trashëgimisë kulturore në Spaç, rrethi i Mirditës. Ky monument është i llojit “Arkitekture”, i miratuar me numër “656/DT 05.12.2007”.
Ky burg është hapur në vitin 1968 dhe ka funksionuar deri në vitin 1988, e sipas të dhënave ka pasur mbi 1000 të burgosur. I ndërtuar për shfrytëzimin e Minierës së Spaçit ku nxirrej bakër dhe pirit. Janë rreth 7 godina që janë pjesë e burgut, por më tej ka edhe godina të tjera që kanë shërbyer si kampe për të burgosurit, por edhe ambientet që shërbenin si mjedis pune për njerëz të zonës. Ka qenë një kompleks minierash ku punonin jo vetëm të dënuarit.






Aktualisht është në një gjendje tërësisht të shkatërruar dhe së fundmi po kryhen ndërhyrje që gjerësisht po konsiderohen si një betonizim të kujtesës. Ka një arkitekture tipike të periudhes komuniste me forma të rregullta.