Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, vizitë zyrtare dy ditore në Itali me ftesë të Dhomës Italiane në Romë – Nënshkruhen dy memorandume bashkëpunimi.
Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, e kryesuar nga Prof. Dr. Maks Haxhia, zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Itali.
Gjatë kësaj vizite, u nënshkruan dy memorandume bashkëpunimi: me Dhomën e Avokatisë Italiane në Romë, drejtuar nga Paolo Nesta dhe sekretari Alessandro GRAZIANI, dhe tjetri me Shoqatën e Avokatëve Shqiptarë në Itali, drejtuar nga Avokate Edlira MECE.


Fushat kryesore të bashkëpunimit të përcaktuara në këto marrëveshje përfshijnë:
Forcimi i funksionit të sistemit gjyqësor;
Digjitalizimi i proceseve dhe i veprimtarisë së mbrojtjes në kuadrin e standardeve bashkëkohore të inteligjencës artificiale;
Rritja dhe përmirësimi i standardeve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në proceset hetimore dhe gjyqësore;
Dhënia e kontributeve në procesin e përmirësimit të kuadrit ligjor për ta bërë procesin e hetimit dhe gjykimit sa më funksional;
Të drejtat e njeriut dhe standardet e mbrojtjes në proceset hetimore dhe gjyqësore;
Zbatimi i Konventës së Këshillit Evropian, e miratuar dy muaj më parë, për mbrojtjen e profesionit të avokatit.
Një ndër qëllimet e rëndësishme të memorandumit të firmosur me Shoqatën e Avokatëve Shqiptarë në Itali është shkëmbimi i përvojës dhe vendosjen e urave të bashkëpunimit mes profesionistëve të avokatisë. Gjithashtu, ai synon të krijojë një kanal komunikimi dhe mbështetje për qytetarët shqiptarë në Shqipëri dhe Itali që përballen me çështje ligjore, duke i orientuar ata drejt Avokatëve të Shoqatës (AAI).
Avokatët shqiptarë janë të pranishëm në të gjitha rajonet e Italisë dhe luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar atje.


