Adoptimi i kriptomonedhave dhe teknologjisë blockchain në Europën Lindore dhe Ballkan po përjeton një rritje të ndjeshme, dhe Shqipëria ka potencialin të shndërrohet në një qendër të rëndësishme të kësaj industrie. Kështu u shpreh përfaqësuesi i kompanisë globale Binance, Kyrylo Khomiakove, Drejtor Rajonal për Evropë, Azi dhe Afrikë.
Sipas tij, faktorët që po nxisin këtë trend janë pasiguria ekonomike, inflacioni, dhe dëshira e qytetarëve për më shumë pavarësi financiare. Në Shqipëri, një popullatë e re dhe teknologjikisht e informuar përbën një bazë të fortë për zhvillimin e një ekonomie digjitale.
“Shqipëria është ende në fazat e para të zhvillimit të saj në sektorin e blockchain-it, por ka sinjale inkurajuese. Me politikat e duhura dhe investime në infrastrukturë, vendi mund të pozicionohet si lider rajonal i Web3,” theksoi përfaqësuesi i Binance.
Binance vlerëson se një treg me hapje rregullative, infrastrukturë digjitale të qëndrueshme, dhe një kulturë që nxit sipërmarrjen është ideal për zhvillim afatgjatë.
Kompania theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së komuniteteve të zhvilluesve dhe startup-eve shqiptare në ekosistemet globale përmes pjesëmarrjes në hackathon-e, programe akselerimi, dhe bashkëpunime ndërkombëtare.
Binance ofron mbështetje konkrete për sipërmarrësit rajonalë përmes akademive edukuese, granteve, trajnimeve dhe aksesit në rrjetin e saj global, duke krijuar një urë lidhëse midis inovatorëve lokalë dhe industrisë globale të blockchain.