Gjykata e Lartë, ndonëse fizikisht ndodhet më pak se 100 metra në vijë ajrore nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, ka zgjedhur të shmangë çdo formë komunikimi zyrtar duke preferuar të përdorë Facebook-un për të komunikuar me trupën e avokatëve.
Referuar faqes zyrtare të Gjykatës së Lartë, më datë 3 qershor është publikuar një shkresë e datës 2 qershor, e cila ende nuk ka mbërritur zyrtarisht pranë Dhomës së Avokatisë.

Kjo shkresë kërkon nga Dhoma listat e përditësuar të avokatëve, sipas gjykatës, për të lehtësuar komunikimin gjyqësor. Megjithatë, për të komunikuar me avokatët, fillimisht duhet që këta të fundit të kenë depozituar rekurset përkatëse.
Në çdo rekurs, është detyrim vendosja e emrit të avokatit ose studios ligjore, adresës, numrit të licencës dhe NIPT-it, telefonit dhe adresës së e-mail.
E kontaktuar nga Weblajm, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë u shpreh:“Kjo praktikë propagandistike mediatike në Facebook e Gjykatës së Lartë nuk justifikon dhe as nuk largon vëmendjen e qytetarëve nevojtarë për drejtësi efikase në kohë. Kjo, pasi dështimi i proceseve në tërësi, e në veçanti në Gjykatën e Lartë, ka sjellë kolaps total.”
Ndërsa kreu i Dhomës së Avokatisë Shqiptare Prof.Dr. Maks Haxhia i pyetur nga weblajm.con për publikimin në Facebook të Gjykatës së Lartë, tha se: “Në kulturen time personale dhe institucionale vlersoj çdo komunikim zyrtar me çdo institucion publik apo privat dhe aq më tepër me tempujt e Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese apo Gjykata e Lartë”.

Kjo është një tjetër përplasje brenda vetë sistemit të drejtësisë të gjykatës së lartë me avokatët. Më herët gjatë një bilanci vjetor z.Sadushi akuzoi avokatët se bëjnë rekurse të pabazuara duke bllokuar sistemin.
Ndërsa një tjetër betejë në kufijtë e përplasjes e kreut në detyrë të Gjykatës së Lartë, z. Sadushi, është ajo pubkike me Gjykatën Kushtetuese për mandatin e kryetares.
Por, këtë herë, Gjykata e Lartë, në vend që të ndjekë rrugët formale të komunikimit me avokatët dhe rekurset e dorëzuara, i kërkon përmes Facebook-ut adresat e tona u shprehën avokatët për weblajm.com.
Mbetur për tu parë argumentimi i kësaj kërkese në FB kur të dhënat e avokatëve të disponuara nga Dhoma janë pjesë e informacioneve që mbrohen nga ligji për të dhënat personale.