SPAK përfundon hetimet ndaj Elvis Roshit, komunikon akuzën për shpërdorim detyre
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe i ka komunikuar ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, akuzën për shpërdorim detyre, në bazë të nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Sipas organit të akuzës, Roshi dyshohet se ka kryer veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të funksioneve publike në periudhën kur drejtonte Bashkinë e Kavajës. Hetimet janë fokusuar mbi vendime dhe procedura administrative që dyshohet se janë kryer në kundërshtim me ligjin, duke sjellë dëm ekonomik apo përfitime të padrejta. Kjo vepër penale rezulton e konsumuar në kohën në të cilën Roshi drejtonte Bashkinë Kavajë, ndërsa Audiiti KLSH-së zbuloi paligjshmërinë.
Neni 248 i Kodit Penal parashikon se “kryerja ose moskryerja me faj e veprimeve ose mosveprimeve, që përbëjnë shkelje të ligjit dhe janë kryer gjatë ushtrimit të detyrës nga funksionari publik, kur nuk përbëjnë vepër penale tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.”
Ndërkohë, burime nga SPAK konfirmojnë se ndaj Roshit vijon ende një tjetër hetim penal, i ndarë nga çështja e mësipërme, që ka të bëjë me dyshime për përfshirje në veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale (pastrim parash). Ky hetim është ende në fazën e mbledhjes së provave dhe verifikimit të transaksioneve financiare të dyshimta si dhe letërporosive.