Biznesmeni i njohur Kastriot Ismailaj, i dënuar me 11 vite burg për aferën e njohur si skandali i CEZ-DIA, do të përballet më 19 qershor me Gjykatën Kushtetuese, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për shpalljen e pafajësisë. Ismailaj ka dorëzuar një rekurs në Kushtetuese, duke pretenduar se është dënuar në mënyrë të padrejtë dhe se janë shkelur të drejtat e tij gjatë procesit gjyqësor.
Kastriot Ismailaj u bë i njohur për publikun pas përfshirjes së kompanisë së tij, DIA (Debt International Advisory), në një kontratë për mbledhjen e borxheve të CEZ Albania. Sipas akuzave të Prokurorisë, gjatë administrimit të kësaj kontrate, ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 5 milionë euro përmes falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit. Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas ajo e Apelit e shpallën fajtor për mashtrim me pasoja të rënda dhe e dënuan me 11 vite burg.
Në kërkesën e tij drejtuar Kushtetueses, Ismailaj pretendon se dënimi është i pabazuar në prova të mjaftueshme dhe se janë cenuar garancitë për një proces të rregullt ligjor.
Biznesmeni Ismailaj përmendet edhe në dosjen që çoi në arrestimin e Ilir Metës, dikur Ministër i Energjitikës gjatë aferës CEZ-DIA.
Ankimi i Plotë
Kërkues:
Kastriot Ismailaj, seancë plenare mbi bazë të dokumenteve
Subjekte të Interesuara:
Prokuroria e Përgjithshme.
Objekti:
“Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me nenin 6 të KEDNJ-së të vendimit nr. 00-2024-1012, datë 30.05.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, njoftuar më datë 26.07.2024. Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me nenin 6 të KEDNJ-së të vendimit nr. 1231, datë 08.05.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë. Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me nenin 6 të KEDNJ-së të vendimit nr. 2818, datë 25.10.2017 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të cilat kanë vendosur: “1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Kastriot Dajlan Ismailaj për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda në bashkëpunim”, të parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal (ndryshuar me ligjin nr. 36/2017) dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 8 (tetë) vjet burgim. 2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Kastriot Dajlan Ismailaj për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal (ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.02.2007) dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim. 3. Në caktimin e një dënimi të vetëm për disa vepra penale bazuar në nenin 55/1/2 të Kodit Penal i pandehuri Kastriot Dajlan Ismailaj përfundimisht dënohet me një dënim të vetëm me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim. 4. Vuajtja dënimit për të pandehurin Kastriot Dajlan Ismailaj të fillojë nga dita e arrestimit të tij në flagrancë më datë 12.05.2015 dhe në bazë të ligjit nr. 8328, datë 16.04.1998 (i ndryshuar), pjesa e mbetur e dënimit të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme. 5. Në bazë të nenit 190 të Kodit të Procedurës Penale, provat materiale të sekuestruara sipas procesverbaleve përkatëse shuma 3.215.176 $ dhe 451.132 euro të sekuestruara pranë bankës Credit Agricole, si dhe shuma 938.868 $, 1028 Euro si dhe 12.360.000 lekë pranë Bankës Venetto, në llogarinë e shoqërisë “Adriatic Development Corporation Ltd” me NIPT K71319002B të sekuestruara sipas vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me nr. 1373, datë 16.09.2014 dhe nr. 1759, datë 16.12.2014 të konfiskohen dhe të kalojnë në favor të shtetit.”.
Data e seancës:
2025-06-19
Ora:
10:00:00