Gjykata e Tiranës ka dhënë dënimin maksimal – burgim të përjetshëm – për Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të shpallur fajtor për organizimin dhe ekzekutimin e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, në vitin 2017. Ky vendim u dha nga trupa gjykuese ne dhomën penale tiranë me relator gjyqtarin Gerd Hoxha.
Ngjarja tronditëse ndodhi në rrugën e “Kosovarëve” në Tiranë, ku Cuku u qëllua për vdekje në hyrje të pallatit ku banonte. Sipas hetimeve, vrasja ishte e mirëplanifikuar dhe u motivua nga hakmarrja.
Bledar Jambelli, i konsideruar si organizatori dhe financuesi i vrasjes, u arrestua në Greqi në vitin 2018, ndërsa personi që kreu ekzekutimin, Mikel Shallari, u kap vetëm pak ditë pas krimit. Shallari pranoi të bashkëpunonte me Prokurorinë, duke zbuluar detaje të marrëveshjes me Jambellin, çka i mundësoi përfitimin e statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë. Për këtë arsye, ai u dënua vetëm me 8 vite burg.
Motivi i krimit lidhet me një arrestim të kryer nga vetë Artan Cuku, në kohën kur ai ishte në krye të Policisë së Vlorës. Në vitin 2012, Cuku kishte vënë në pranga Bledar Jambellin, i dyshuar për vrasjen e Armando Delajt. Edhe pse Jambelli u lirua nga gjykata dy vite më vonë dhe madje përfitoi mbi 500 mijë lekë dëmshpërblim për burgim të padrejtë, ngjarja duket se kishte lënë pas një konflikt të hapur dhe një ndjenjë hakmarrjeje që përfundoi në tragjedi.
Vrasja e Çukut tronditi opinionin publik dhe solli në qendër të vëmendjes jo vetëm rrezikun me të cilin përballen ish-zyrtarët e lartë të rendit, por edhe sfidat që ka drejtësia shqiptare për të parandaluar krimet me motive personale dhe të lidhura me botën e krimit.