Spak dhe Policia Gjermane bëhen bashkë në luftën mundër narkotikëve ku të përfshirë rezultojnë disa grupe kriminale shqiptare. Pas takimeve me zyrtarë të Policisë Shqiptare numri dy i Policisë Gjermane ka zhvilluar një takim pune edhe në Prokurorinë e Posaçme. Fokus i takimeve ka qenë aktiviteti i grupeve kriminale në trafikun e drogës në Landet Gjermane.
Jo zyrtarisht weblajm.com mëson se ky takim i nivelit të lartë do të shoqërohet me skuadra hetimore të përbashkëta ndërsa janë identifikuar disa grupe shqiptare tashmë të vëna në hetim.
Pjesë e prokurorëve që u takuan me palën gjermane ishin Altin Dumani kreu i SPAK, Arben Kraja, Adnan Xholi dhe Klodian Braho.
Takimi i njoftuar nga SPAK
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Altin Dumani, mirëpriti Zëvendëspresidenten e Policisë Kriminale Federale të Gjermanisë, znj. Martina Link.
Takimi u përqëndrua në forcimin e bashkëpunimit kundër krimit të organizuar, me fokus luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike.
Z. Dumani theksoi rëndësinë e ndihmës së ndërsjelltë në kohë reale dhe angazhimin e SPAK për të intensifikuar bashkëpunimin, veçanërisht në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale.
Znj. Link vlerësoi skuadrat e përbashkëta hetimore si një model suksesi në bashkëpunimin mes SPAK dhe autoriteteve gjermane të zbatimit të ligjit.

Më herët nr dy i policisë gjermane, znj.Link pati një takim pune edhe me homologët e saj në Policinë Shqiptare.
Zëvendëspresidentja e BKA-së, vizitë pune në Policinë e Shtetit
Proda – Link: “Forcimi i bashkëpunimit është çelësi i suksesit të përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar. ”Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti në një vizitë pune Zëvendëspresidenten e Zyrës Federale Kriminale të Gjermanisë (BKA), znj. Martina Link, e shoqëruar nga z. Markus Koths dhe zyrtarë të lartë të këtij institucioni.Në qendër të takimit ishte forcimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.Drejtori Proda shprehu vlerësimin për kontributin e BKA-së dhe theksoi:“Partneriteti ynë është ndërtuar mbi besim dhe transparencë. Bashkëpunimi ynë është dëshmi se krimi i organizuar luftohet vetëm përmes aleancave të forta ndërkombëtare. Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim.”Zëvendëspresidentja Link u shpreh:“Ju vlerësoj për rezultatet dhe profesionalizmin tuaj.
Projekti ORKA është një model bashkëpunimi të suksesshëm, sidomos për shkëmbimin efikas të informacionit në fushën e krimit të organizuar. BKA do të vijojë mbështetjen dhe do të intensifikojë iniciativat e përbashkëta.”Të dy palët u dakordësuan për thellimin e bashkëpunimit në hetimet financiare dhe sekuestrimin e aseteve të grupeve kriminale. Gjithashtu, Drejtuesi i Lartë Neritan Nallbati kërkoi mbështetjen e BKA-së për trajnimin e stafit në fushën e krimeve kibernetike.Takimi u pasua me diskutime teknike mes përfaqësuesve të BKA-së dhe strukturave të Departamentit të Policisë Kriminale.

