Nisi si një risi në vitin 2016, kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri. Sot, mungesa e Komisariatit Digjital ka ulur besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, si edhe numrin e denoncimeve dhe reagimin në kohë të uniformave blu.
Ky është konstatimi për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon të gjendet një zgjidhje sa më parë, për t’i shërbyer më mirë qytetarëve.
Një nga platformat më të rëndësishme digjitale të Policisë së Shtetit, “Komisariati Digjital”, rezulton të jetë jashtë funksioni që prej mesit të vitit 2022. Sipas një raporti të auditimit të kryer së fundmi, konstatohet se aplikacioni është ndërprerë për shkak të sulmeve kibernetike që ndodhën gjatë atij viti.
Kjo platformë, e cila nisi funksionimin e saj në vitin 2016, kishte shërbyer pa ndërprerje deri më 14 korrik 2022, duke u kthyer në një mjet të rëndësishëm komunikimi ndërmjet qytetarëve dhe strukturave të Policisë së Shtetit.
Gjatë kohës kur “Komisariati Digjital” ishte aktiv, aplikacioni kishte një përdorim të lartë. Vetëm gjatë viteve 2020 dhe 2021 janë regjistruar gjithsej 106,898 raportime nga qytetarët – konkretisht, 47,732 raste në vitin 2020 dhe 59,166 raste në vitin 2021. Këto të dhëna dëshmojnë për një angazhim të konsiderueshëm qytetar në raportimin e ngjarjeve që preknin rendin dhe sigurinë publike.
Grupi i auditimit ka rekomanduar që Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit, në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë Publike pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të analizojnë pasojat e shkaktuara nga ndërprerja e funksionimit të aplikacionit. Gjithashtu, është kërkuar që të shqyrtohen rrugë alternative për rikthimin e tij në përdorim, brenda datës 30 qershor 2024.
Në komentet e dhëna nga institucioni i auditimit theksohet se mosfunksionimi i aplikacionit ka ndikuar ndjeshëm në uljen e numrit të njoftimeve nga qytetarët dhe në vonesat e ndërhyrjes nga strukturat policore. Ndërkohë, vetë Policia e Shtetit ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 janë zhvilluar diskutime për të riaktivizuar platformën, por deri tani nuk është arritur ndonjë rezultat konkret.
Në një shkresë zyrtare të protokolluar më 28 janar 2025, Departamenti i Policisë së Shtetit ka informuar Kontrollin e Lartë të Shtetit se projekti për rikthimin e “Komisariatit Digjital” është përfunduar dhe aktualisht ndodhet në fazën e specifikimeve teknike pranë Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI), ku po përgatitet për t’u kaluar në procesin e tenderimit.

Comments 1