Një pjesëtar i një organizate kriminale të akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda në Spanjë, është vënë në pranga në Tiranë, si rezultat i operacionit ndërkombëtar policor të koduar “The Wanted”.
Ndriçim Sula, 37 vjeç, u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës gjatë monitorimeve rutinë në rrugët e kryeqytetit. Ai u ndalua pasi u konstatua duke përdorur telefonin celular në mënyrë të paligjshme, teksa drejtonte automjetin. Kjo gafë e kushtoi shtrenjtë, pasi kontrollet e mëpasshme dhe shkëmbimi i menjëhershëm i të dhënave me Interpol Tiranën zbuluan se ai ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle.
Gjykata e Seu de Urgell në Spanjë i ka caktuar Sulës masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, e kryer në kuadër të një organizate kriminale.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan provizorisht 37-vjeçarin, ndërsa Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Madridin për procedurat e ekstradimit.
Operacioni “The Wanted” vijon të sjellë rezultate konkrete në kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.