Blogeri i njohur shqiptar, Kozak Braçi, është ndëshkuar me një gjobë prej 100 000 lekësh për hedhje mbeturinash nga automjeti në lëvizje. Ngjarja është bërë publike pas shpërndarjes së një videoje në rrjetet sociale, ku 32-vjeçari shfaqet duke hedhur mbeturina nga dritarja e një makine ku ndodhej si pasagjer.
Ndoti mjedisin, duke hedhur mbeturina nga automjeti me të cilin lëvizte, ndëshkohet me 100 000 lekë gjobë, 32-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, në të cilën shfaqej një shtetas duke hedhur mbeturina nga dritarja e automjetit në lëvizje, ku ishte pasagjer, kryen verifikimet për nxjerrjen e këtij shtetasi, përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i verifikimeve u konstatua se videoja e publikuar ishte regjistruar para disa kohësh, si dhe u identifikua shtetasi që kreu shkeljen, konkretisht K. B., 32 vjeç Ai u shoqërua në ambientet e Komisariatit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Në përfundim të këtyre veprimeve, në zbatim të nenit 351 të VKM nr. 153, datë 07.04.2000, dhe nenit 15 të Kodit Rrugor, 32-vjeçari u ndëshkua me masë administrative gjobë 100 000 lekë.
Gjithashtu, materialet procedurale për këtë rast iu referuan Prokurorisë së Tiranës, me qëllim vlerësimin juridik të mëtejshëm.