PADI NË GJYKATËN KUSHTETUESE: KËRKOHET SHFUQIZIMI I KUSHTIT TË MOSHËS 21 VJEÇ PËR DREJTIMIN E MOTOMJETEVE ME PATENTË B
Kjo padi është depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese, ku kërkohet shfuqizimi i një pjese të nenit 123, pika 2, germa “ë” të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, me pretendimin se ajo cenon të drejtat kushtetuese të qytetarëve dhe bie ndesh me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Objekti i padisë ka në qendër kufizimin e drejtimit të motomjeteve të kategorisë A1 nga mbajtësit e lejedrejtimit të kategorisë “B”, për shkak të një kushti moshe – 21 vjeç. Sipas dispozitës në fjalë, një person që zotëron lejedrejtimi të kategorisë B mund të drejtojë motomjete të kategorisë A1 vetëm nëse ka mbushur 21 vjeç.
Paditësi kërkon shfuqizimin e këtij kushti moshe, duke e konsideruar të padrejtë dhe antikushtetues, veçanërisht në rastet kur personi:
- Zotëron lejedrejtimi të kategorisë B që është e vlefshme për drejtimin e mjeteve të caktuara me tri rrota dhe motomjete të kategorisë A1;
- Ka njohuri të rregullave të qarkullimit rrugor;
- Është i aftë fizikisht dhe praktikisht për të drejtuar motomjetin përkatës.
Sipas padisë, kjo dispozitë cenon parimin e barazisë para ligjit dhe lirinë për të lëvizur, në kundërshtim me nenet 4, 17, 18, 29, 33, 42 dhe 135 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenet 6 dhe 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
ÇFARË DO TË THOTË KJO NË PRAKTIKË?
Sipas Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, lejedrejtimi i kategorisë B është i vlefshëm për drejtimin e:
- Automjeteve me peshë maksimale deri në 3.5 ton dhe deri në 8 vende ulëse (përveç sediljes së drejtuesit);
- Mjeteve me tri rrota, kur kanë fuqi mbi 15 KW;
- Motomjeteve të kategorisë A1, por vetëm nëse mbajtësi i patentës është të paktën 21 vjeç.
Kategoria A1 përfshin:
- Motoçikleta me cilindrat deri në 125 cm³, me fuqi maksimale 11 KW dhe raport peshë/fuqi jo më shumë se 0.1 KW/kg;
- Motorrë të vegjël, të përdorshëm kryesisht në qytet dhe nga të rinjtë që sapo marrin patentë.
KUSHTI I MOSHËS: I ARSYESHËM APO DISKRIMINUES?
Kushti i moshës 21 vjeç për drejtimin e një motomjeti të kategorisë A1 nga një mbajtës i lejedrejtimit B është konsideruar nga paditësi si një kufizim i pajustifikuar, që mund të sjellë edhe ndëshkime penale nëse personi drejton një motoçikletë në mënyrë të aftë dhe të sigurt, pavarësisht se nuk ka mbushur ende moshën e kërkuar.
Kjo çështje ngre pyetje të rëndësishme për barazinë përpara ligjit, proporcionin e kufizimeve të vendosura nga shteti, si dhe interpretimin e të drejtave themelore të njeriut në përputhje me konventat ndërkombëtare.
Ja se si thotë kodi: Leje drejtimi e kategorisë B
- Automjete me masë maksimale të autorizuar jo më të madhe se 3500 kg dhe me jo më shumë se 8 ndenjëse, përjashtuar ndenjësen e drejtuesit të mjetit. Mjetet e kësaj kategorie mund të tërheqin një rimorkio të lehtë ose një gjysmërimorkio që nuk e kalon masën maksimale të autorizuar 750 kg, duke u siguruar që masa maksimale e autorizuar e këtij kombinimi të mos kalojë 4 250 kg.
- Mjete rrugore me tri rrota me fuqi më të madhe se 15 kw (e vlefshme vetëm për territorin kombëtar);
- Motomjete të kategorisë A1 me kusht që mbajtësi i leje drejtimit të jetë të paktën 21 vjeç (e vlefshme vetëm për territorin kombëtar);
- Makinat bujqësore;
- Makinat teknologjike;
Leje drejtimi B me kodin 96 – kombinimi i një mjeti të kategorisë B dhe një rimorkio ose gjysmërimorkioje që i kalon 750 kg, kur masa maksimale e autorizuar e një kombinimi të tillë është sidoqoftë më i vogël se 4250 kg.