Nga kikirikët tek ushqimet. Janë këto produktet që Krimi Ekonomik ka sekuestruar në sasi të mëdha në kompaninë e familjes Domi në fshatin Muçaj të Vorës.
Sipas dokumentave të siguruara nga weblajm.com, Agim dhe Florenc Domi supozohet se këtë aktivitet e kryenin prej kohësh.
Nga mallrat e gjetura rezulton se skadencat e produkteve datojnë nga janari deri më 17.07.2025, kur u krye edhe bastisja e magazinës në firmën Master Al.
Ja se çfarë thotë dokumenti nga dosja hetimore:
Nga këqyrja ka rezultuar se në pjesën e jashtme të magazinës, pranë disa kartonëve të vendosur në anë të godinës, është konstatuar një qese plastike e zezë, e ngjashme me ato të përdorura për mbetje, e cila ishte mbushur me ambalazhe produktesh ushqimore të markës “Altin Haal”, konkretisht kikirikë me afate përdorimi të skaduara.
Njoftimi Zyrtar i Policisë
Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguria Ushqimore”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSh, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 7.
Zbulohet në Vorë një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas hidheshin sërish në treg.
Sekuestrohen sasi të mëdha mallrash ushqimore të përpunuara të skaduara në muajin janar dhe shkurt me etiketa skadence të falsifikuara.
Arrestohen në flagrancë administratori i magazinës dhe magazinieri. Procedohen penalisht ortaku dhe shoferi i magazinës.
Në kuadër të planit të masave për kontrollet në magazina, dyqane dhe supermarkete, me qëllim parandalimin e tregtimit të produkteve ushqimore të skaduara, u finalizua operacioni “Siguria Ushqimore”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit F. D., 38 vjeç, administrator i subjektit dhe A. D., 58 vjeç, magazinier.
U proceduan penalisht shtetasit S. T., 56 vjeç, ortaku i subjektit dhe A. D., 36 vjeç, shofer i magazinës.
Nga hetimet rezultoi se subjekti me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan, u falsifikonte datat e skadencës dhe i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e prova materiale 716 koli dhe dhera kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara që kishin afatin e skadencës në janar dhe shkurt 2025 dhe afati i skadencës ishte falsifikuar me qëllim rihedhjen në treg për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me sigurinë ushqimore në numrin pa pagesë 112.