“Kërkoj të mos jem unë gomari” në këtë gjykim — Çuditet gjykata gjatë mbrojtjes në GJKKO ish-drejtori i Ministrisë së Shëndetësisë
Pas shpalljes së pretencës nga SPAK për dosjen e sterilizimit, ka nisur mbrojtja e të pandehurve, të cilëve u është pranuar gjykimi i shkurtuar, duke u veçuar çështja nga ajo e ish-ministrit Ilir Beqaj.
Gjatë fjalës së tij, Saimir Kadiu, ish-drejtor ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë, kërkoi të shpallet i pafajshëm, duke deklaruar se nuk ka lidhje me asnjë shpërdorim detyre, siç pretendohet nga SPAK.
Për të argumentuar pozicionin e tij, ai iu drejtua gjykatës me një anekdotë:
“Lexova një anekdotë para disa ditësh. Mori flakë pylli dhe u mblodhën të gjitha kafshët. Thanë: ‘Po na dënon Zoti se kemi bërë shumë mëkate’. Luani tha: ‘Unë, për shembull, kam ngrënë shumë prej jush’. Ujku dhe dhelpra po ashtu. Pastaj i erdhi radha gomarit, i cili tha: ‘Pashë një lëndinë me bar të gjelbër dhe shkova e hëngra’. Të gjitha kafshët thanë: ‘Ky është gabimi më i rëndë!’ — dhe e dënuan gomarin.”
I pyetur nga gjykata përse e tregoi këtë anekdotë, Kadiu u shpreh:
“Kërkoj të mos jem unë gomari.”
Pretenca e SPAK / DOSJA STERILIZIMI
Klodian Rjepaj 10 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 6 vite e 8 muaj burg
Ilir Rrapaj 10 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 6 vite e 8 muaj burg
Marsela Serjani 3 vite e 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 2 vite e 4 muaj
Samir Kadiu 3 vite e 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 2 vite e 4 muaj
Petraq Mersini 3 vite 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 2 vite e 4 muaj. Konvertohet 4 vite shërbim prove
Arben Gjata 2 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 1 vit e 4 muaj. Konvertohet 3 vite shërbim prove
Genci Byrazeri 2 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 1 vit e 4 muaj. Konvertohet 2 vite shërbim prove
Naile Ajazi 2 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 1 vit e 4 muaj. Konvertohet 2 vite shërbim prove