Sektori i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Apartamentet”, që synonte goditjen e mashtrimeve me pasuritë e paluajtshme në kryeqytet. Brenda 24 orëve, janë ndaluar dy shtetas dhe është shpallur në kërkim një notere, e dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi me shitjen e të njëjtës pronë, dy herë.
Në pranga ranë shtetasit Marjo Qose, 31 vjeç, dhe Nani Kolovani, 48 vjeç. Ndërkohë, është shpallur në kërkim noterja Majlinda Demollari, 57 vjeçe, e cila dyshohet se ka përpiluar dy kontrata shitjeje për të njëjtin apartament, duke lehtësuar kryerjen e mashtrimit.
Sipas Policisë, 48-vjeçari Kolovani kishte shitur apartamentin e tij një herë, e më pas e kishte shitur të njëjtën pronë edhe një herë tjetër, duke përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë të konsiderueshme parash. Për ta realizuar skemën, ai kishte bashkëpunuar me noteren Demollari, e cila kishte përpiluar dy kontratat e shitjes, pavarësisht se prona kishte ndryshuar tashmë pronar.
Në një rast tjetër të hetuar në kuadër të të njëjtit operacion, u arrestua Marjo Qose, i cili për më shumë se një vit i kishte marrë një 34-vjeçari shumën prej 75 000 euro, duke e mashtruar se do t’i blinte një apartament në Tiranë.
Hetimet janë duke vijuar, ndërkohë që materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore.