Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka sekuestruar një sërë pasurish të pajustifikuara dhe të padeklaruara të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Katar, Edmon Çaça, dhe bashkëshortes së tij, B.C.
Veprimet procedurale vijnë pas hetimeve të nisura mbi procedimin penal nr. 1838/2019, pas kallëzimit të dorëzuar nga ILDKPI. Ish-ambasadori akuzohet për “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe interesave private”, si dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara në nenet 257/a-2 dhe 287 të Kodit Penal.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, gjatë periudhës 2014–2017, Edmon Çaça, ndonëse subjekt deklarimi pranë ILDKPI, ka kryer fshehje dhe deklarime të rreme në lidhje me pasuritë dhe interesat private të tij dhe familjes.
Në bazë të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar…”, është regjistruar procedimi pasuror nr. 07/R, i vitit 2025. Nga analiza financiare e realizuar nga audituesi ligjor rezulton se pasuritë në fjalë nuk justifikohen me burime të ligjshme të ardhurash.
Pasuritë e sekuestruara:
Të paluajtshme:
- Truall në ZK 8330, me disa pasuri të lidhura, ku B.C. zotëron 10/33 e sipërfaqes totale prej 8250 m²;
- Apartament 65.5 m², në ZK 3292, në emër të E.Ç.;
- Pyll me sipërfaqe 500 m² dhe një tjetër prej 300 m², në emër të E.Ç., në ZK 2380;
- Pasuri pyjore 10.000 m², e kufizuar në favor të E.Ç. dhe B.C., sipas kontratës së shitjes me kalim pronësie të datës 09.08.2020;
- Apartament 52.63 m², në ZK 2364.
Të luajtshme:
- Llogari bankare me 90,093.76 euro në “Credins Bank”, në emër të bashkëshortes, B.C.
Vendimi i sekuestrimit është marrë nga Gjykata me vendimin nr. 6047 akti, datë 24.07.2025.
Kush është diplomati në hetim?
Edmond Çaça (lindi më 24 Qershor 1979) është ish-diplomat, ish-ambasador dhe publicist.
Nga Viti 2006 në 2010 ka shërbyer si sekretar i parë në Ambasadën e Shqipërisë në Riad, Arabia Saudite, ku dhe mbulonte të gjitha vendet e gjirit Persik.Gjithashtu ka qenë nismëtari I hapjes së tre Ambasadave në rajon, në Shtetet e Kuvajt,Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në vitin 2010 ju ka ngarkuar hapja dhe themelimi I Ambasadës Shqiptare në Kuvajt dhe për 3 vite ka qenë i ngarkuar më punë Shef i misionit Diplomatik me gradën Ministër Këshilltar.
Nëntor 2013, pasi një vizite të sukseshme të Kryeministrit dhe delegacionit shoqërues, kabineti qeveritar vendosi emerimin e Edmond Caca si Ambasador të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Katar.Ka shërbyer si Ambasador në Katar për një mandat të plotë, ku ka fituar disa fleta nderi për përpjekjet dhe arritjet e bëra.Suksesi më i madh i Edmond Caca si ambasador ka qenë realizimi i të gjitha vizitave diplomatike të niveleve më të larta dhe nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh politiko-ekonomike, kryesisht në fushat kryesore si arsimi, mbrojtja, transporti dhe energjitike.
Shtator 2018 emerohet sekretar i parë në Ambasadën Shqiptare në Londër dhe mbulon sektorin ekonomik. Ka pasur një rol kyc në nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri në fusha të ndryshme, ku mund të vecojmë ndërtimin dhe turizmin.