Delvinë – Ndërtonin pa leje impiant gazi në pronë publike, arrestohen dy inxhinierë, pronari dhe administratori në kërkim
Një ndërhyrje e përbashkët mes Policisë së Shtetit, IKMT-së dhe Inspektoratit të Mjedisit ka çuar në ndalimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, pasi po ndërtonin pa leje një impiant gazi (TEC) në një pronë publike në qytetin e Delvinës.
Të arrestuarit janë inxhinierët Elton Malkaj dhe Luan Metaj, të cilët dyshohet se kishin rol kyç në ndërtimin e paligjshëm të impiantit. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur pronari i kompanisë, Sokol Meqemaj, dhe administratori i subjektit ndërtues, Juglerd Ibrahimi. Sipas burimeve zyrtare, objekti nuk kishte asnjë leje ndërtimi apo miratim nga autoritetet përkatëse të mjedisit dhe energjisë.
Bllokimi i punimeve dhe hetimet e mëtejshme
Operacioni është kryer në bashkëpunim me IKMT Tiranë dhe Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit, të cilët kanë bllokuar menjëherë punimet në objekt dhe kanë sekuestruar makineri të ndërtimit, dokumentacion të kompanisë si dhe mostra nga puna e kryer deri më tani.
Kush është Sokol Meqemaj?
Sokol Meqemaj, një emër i njohur në fushën e biznesit, ndërtimit dhe energjisë, ka qenë më parë subjekt i interesit nga organet ligjzbatuese. Emri i tij është përmendur edhe më parë në disa hetime të SPAK në proçedimin e ish zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj. Ai është po ashtu i njohur si biznesmen i produkteve të sallamit AiA.
Delvinë/Po ndërtonin pa leje një impiant gazi (TEC), në pronë publike, arrestohen 2 inxhinierë Elton Malkaj dhe Luan Metaj, shpallen në kërkim pronari Sokol Meqemaj dhe administratori i kompanisë Juglerd Ibrahimi. Në bashkëpunim me IKMT Tiranë dhe me Inspektoratin e Mjedisit, bllokohen punimet në këtë objekt.

Reagimi Kompanisë
MBI TË DREJTAT E SHOQËRISË “DELVINA GAS COMPANY”, DEGË E SHOQËRISË SË HUAJ PËR TË KRYER PUNIME NË VENDBURIMIN E GAZIT DELVINË.
BAZA LIGJORE:1. Ligji Nr. 7749, datë 28.07.1993 Për Hidrokarburet (Kërkimi dhe Prodhimi), i ndryshuar;2. VKM Nr. 509, datë 08.08.2007 për miratimin e Marrëveshjes Hidrokarbure të Vendburimit Delvinë;3. Marrëveshja Hidrokarbure për Prodhimin, Zhvillimin dhe Kërkimin e Hidrokarbureve në Vendburimin e Delvinës, me datë efektive 24.08.2007;4.
Licencë Marrëveshje për Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve në Vendburimin e Delvinës, datë 04.07.2007.Shoqëria “Delvina Gas Company”, degë e shoqërisë së huaj, është një shoqëri e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit si degë e një shoqërie të huaj, konkretisht shoqërisë “Delvina Gas Company” Ltd, me seli në British Virgin Islands (BVI).
Aktiviteti i shoqërisë “Delvina Gas Company”, degë e shoqërisë së huaj ushtrohet në Vendburimin e Delvinës në bazë të të drejtave dhe detyrimeve që i janë lëshuar nëpërmjet Marrëveshjes Hidrokarbure “Për prodhimin, zhvillimin dhe kërkimin e hidrokarbureve në Vendburimin e Delvinës” (hyrë në fuqi me VKM Nr.509, datë 08.08.2007), Instrumentit të Transferimit datë 22.08.2016, si dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi të fushës së hidrokarbureve në Republikën e Shqipërisë.
Për nga natyra e llojit të aktivitetit të funksionimit të marrëveshjeve hidrokarbure, ky aktivitet, është ushtruar përherë në zbatim të çdo rregulloreje dhe detyrimi që buron nga Marrëveshja dhe Licensë Marrëveshja për Vendburimin e Delvinës, duke zbatuar me përpikmëri Programet e Punës dhe Buxhetit, si dhe Planit të Zhvillimit të vendburimit, programe këto që miratohen përherë nga partnerët tanë, dhënës së të drejtave të operimit në Vendburimin e Delvinës, shoqëria “Albpetrol” sh.a.,
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore.Për të vijuar, duke ju referuar edhe Nenit 2.2, gërma “c” të Marrëveshjes Hidrokarbure të Vendburimit Delvinë (i cili në vetvete referon te Seksioni 3.2 i Licencë Marrëveshjes për Vendburimin Delvinë), përcaktohet e drejta e shoqërisë “Delvina Gas Company”, degë e shoqërisë së huaj, si mbajtëse e të drejtave dhe detyrimeve të operimit në Vendburimin e Delvinës, për të ndërtuar dhe instaluar të gjitha mjetet dhe pajisjet (duke përfshirë grumbullimin, trajtimin, tubacionet dhe mjetet e tjera të transportit) të kërkuara për operacionet hidrokarbure.Në bazë të pikës 35 të Nenit 2 të Ligjit Nr. 7749, datë 28.07.1993 “Për Hidrokarburet”, i ndryshuar, citohet shprehimisht se: “Zhvillim” është ndërtimi dhe instalimi i pajisjeve për prodhimin e hidrokarbureve dhe shpimi i puseve të shfrytëzimit, në zbatim të Marrëveshjes Hidrokarbure përkatëse dhe në përputhje me një plan zhvillimi të miratuar. (të cilin e disponojmë)Për sa më sipër, duke qenë se dy media të mëdha tashmë e kanë bërë lajm, duam të theksojmë se Impianti i Pastrimit nuk është TEC, por është pjesë integruese e pusit të gazit në Vendburimin e Delvinës. Ky impiant pastrimi ka 3 (tre) vjet që ka përfunduar ndërtimin dhe dy inxhinierët ishin thjesht mirëmbajtës të impiantit të pastrimit, i përfunduar tashmë së ndërtuari kohë më parë. Shoqëria “Delvina Gas Company”, degë e shoqërisë së huaj ka zbatuar çdo detyrim dhe rregullore duke ju përmbajtur hap pas hapi kuadrit ligjor në fuqi në sektorin hidrokarbur.