Maks Haxhiaj kritikon draftin e ri të Kodit Penal: “Ka një mal me probleme”
Kreu i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Prof.Dr. Maksim Haxhiaj ka reaguar ashpër ndaj projekt-draftit të ri të Kodit Penal, duke e konsideruar atë problematik dhe të papërshtatur me realitetin social, ekonomik dhe juridik të vendit.
Sipas Haxhiajt, ndryshimet në Kodin Penal nuk janë bërë në konsultim me aktorët e drejtësisë dhe shoqërinë civile. “Drafti duhej të ishte rezultat i një komunikimi të gjerë me të gjithë aktorët dhe opinionin publik. Për çfarë kushtesh u bë ky ndryshim? A është studiuar situata socio-ekonomike dhe mentaliteti i shoqërisë?” – u shpreh ai.
Ai shtoi më tej se nuk qëndron argumenti se ky draft vjen si pjesë e reformës në drejtësi. “Reforma në drejtësi ka sjellë probleme në procedurë dhe në burimet njerëzore. Ky draft nuk është produkt i organeve të reja të drejtësisë. Që nga viti 1995, Kodi Penal ka pasur 23 ndryshime dhe 4 vendime të Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të pretendohet se ky është një kod modern”, tha Haxhiaj.
Ai theksoi se nëse ndryshimet janë bërë për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, kjo duhet të thuhet hapur, por sipas tij, drafti propozon një “kod inkuizitor me dënime marramendëse”. Sipas Haxhisë ky kod i ri ka dënime edhe më të larta se kodi në sistemin komunist.
Haxhiaj e konsideron shqetësues faktin që në Shqipëri ndryshimet në Kodin Penal ndodhin me vendime të Këshillit të Ministrave. Sipas Haxhisë projekt kodi duhet të jetë një monopol i Ministrisë së Drejtësisë. “Kodi Penal kërkon gjithëpërfshirje.
Ai gjithashtu vë në dyshim transparencën e procesit: “Edhe sot nuk dihet kush e ka përgatitur këtë draft. Nëse është pjesë e reformës, përse nuk ka vulën e ndërkombëtarëve?”
Sipas Haxhiajt, diskutimet për këtë kod duhet të përfshijnë jo vetëm publikun, por edhe gjyqtarët, prokurorët, avokatët, juristët, si dhe të udhëhiqen nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë. Ai theksoi se drafti përmban dispozita të paqarta dhe konfuzuese.
Duke iu referuar nenit 537 të draftit, ai tha se ky është “një turp” pasi sipas tij prek në mënyrë të padrejtë avokatinë, e cila është një profesion i lirë dhe i pavarur.