24% e mjeteve “ngelin” në kontrollin teknik/ Cilat janë defektet që rrezikojnë jetën e shoferëve?
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit rrugor ka publikuar të dhënat përgjatë vitit 2025 në lidhje me shërbimin e kontrollit teknik të mjeteve që qarkullojnë. Gjatë kësaj periudhe janë testuar 206.822 mjete në Qendrën e Kontrollit Teknik. Por jo të gjitha janë shpallur të sigurta për qarkulluar në rrugë.
Sipas të dhënave të publikuara nga DPSHTRR, 24.2% e mjeteve nuk e kaluan testin, duke rezultuar me mangësi dhe problematika të shumta në sistemin e automjetit. Ndërkohë, 37.9% e mjeteve kanë ngelur për shkak të problemeve në sistemin e shkarkimit të gazrave, si dhe 34.3% e mjeteve kanë shfaqur mangësi vizuale ose funksionale, që lidhen me elementet bazë të sigurisë. Po kështu, 14.7% e mjeteve kanë ngelur për shkak të defekteve në sistemin e frenimit, si dhe me sistemin e drejtimit përfaqësohen nga 13.1% e rasteve.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike, Tirana kryeson listen me më shumë mjete të testuara, mbi 72 mijë vetëm këtë vit. Kjo për shkak se Tirana është qyteti ku popullsia është më shumë e përqendruar dhe numri i mjeteve që qarkullon është më i lartë në krahasim me qytetet e tjera. Ndërsa më pas renditet Durrësi me rreth 28 mijë mjete, Fieri me 18.849 mjete, Shkodra 14.152 mjete, si dhe Elbasani me më shumë se 13 mijë mjete të kontrolluara.
DPSHTRR nënvizon se kontrolli teknik nuk është vetëm një detyrim ligjor, por është një angazhim për jetën, sigurinë dhe mjedisin. Kujdesi për mjetin është edhe kujdes për jetën e qytetarëve që ndajnë të njëjtën rrugë me ju.
Marrë nga ScanTv