Teksa është hapur diskutimi për Kodin e ri Penal, pritet që kodi aktual të ndryshojë sërish brenda tetorit 2025, pa patur ende një kod të ri.
Ndryshimin e kodit aktual e prezantoi ministri i Drejtësisë Ulsi Manja gjatë një prezantimi publik, ku tha se këto ndryshime nuk lidhen me kodin e ri që ndoshta do të jetë gati në 2026, pasi të marrë edhe dritën jeshile nga BE-ja.
Manja tha se 6 direktiva të Kodit Penal ekzistues do të rishikohen në kuadër të detyrimeve për negociatat me BE-në. Për shkak se Unioni ka vendosur një afat deri në fund të tetorit për këtë detyrim, ai tha se do të bëhen diskutime për këto pika, të ndara nga diskutimet publike që do të zhvillohen për draftin e ri.
“Edhe pse të gjitha këto direktiva janë të reflektuara në draftin e ri, duke qenë se në kuadrin e përmbushjes së piketave të ndërmjetme për negociatat me BE kemi një afat kohor që është fundi i tetorit, për këtë grup veprash konsultimi publik do të zhvillohet ndarazi në lidhje me konsultimin për draftin. Këto ndryshime do të reflektohen në Kodin Penal aktual dhe do të jenë pjesë e draftit të ri kur të jetë në axhendë parlamentare,” u shpreh Manja.
Ndër ndryshimet e pritshme brenda tetorit janë ato për krimet seksuale me të mitur, pornografinë, armbajtjen, pastrimin e parave, terrorizmin, trafikun e drogës, viktimat e trafikut të qenieve njerëzore dhe shpifjen.