Pas alarmit për investimet online me skemat e Leo Smith, ku mijëra banorë të Divjakës rezultuan të mashtruar, Policia e Shtetit ka zbuluar një tjetër skemë kriminale këtë herë në disa qarqe të vendit.
WebLajm.com mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për një skemë piramidale, ku paratë merren me fajde, e cila ka shtrirje me agjentë dhe degë në 5 qytete kryesore.
Aktualisht, autoritetet kanë mbledhur prova dhe kanë faktuar çdo paligjshmëri. Monitorimi në terren ka treguar se në këtë aktivitet të paligjshëm janë të përfshirë edhe disa funksionarë të drejtësisë në qytetet ku veprohet.
Të dyshuar janë disa persona me aktivitet kriminal, ndërsa operacioni pritet të finalizohet me goditjen e të gjithë anëtarëve të rrjetit. Sipas burimeve policore, mbi 15 shtetas janë vëzhguar në terren dhe aktiviteti i tyre kriminal është dokumentuar me prova dhe fakte të qarta.
Leo Smith dhe Mashtrimi në Divjakë
“Leo Smith” është një pseudonim i përdorur nga një agjent i platformës piramidale online XUEX, e cila ka mashtruar mijëra qytetarë në Shqipëri, veçanërisht në Divjakë dhe Lushnjë. Ky individ është paraqitur si një “profesor” që ofron sinjale investimi për kriptomonedha, duke përdorur mesazhe të automatizuara përmes aplikacioneve si Telegram. Në realitet, “Leo Smith” nuk ekziston; ai është një robot i krijuar për të manipuluar dhe mashtruar përdoruesit.
Platforma XUEX funksionon si një skemë piramidale, ku pjesëmarrësit ftohen të investojnë para në këmbim të mundësisë për të fituar më shumë, duke rekrutuar të tjerë. Kjo strukturë është e ngjashme me ato të njohura si skema Ponzi, ku kthimet për investitorët e hershëm paguhen me paratë e investitorëve të rinj, dhe jo nga fitime reale.