Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli sot vendimin për çështjen penale ku i pandehur kryesor është ish-kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako. Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça dhe Iliriana Olldashi, vendosi të rrëzojë ankimet e paraqitura dhe të lërë në fuqi dënimet e dhëna me vendimin e Shkallës së Parë.
Nga arrestimi tek dënimi në Shkallë të Parë
Dako dhe bashkëpandehurit e tij, F.F. dhe A.B., u arrestuan në vitin 2023 pas një hetimi të SPAK, i cili i akuzoi për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera publike. Në nëntor 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë shpalli fajtorë tre të pandehurit, duke i dënuar me masa të ndryshme burgimi dhe duke i ngarkuar me shpenzimet gjyqësore. Ku për Dakon u dha 2 vite e 8 muaj, një pjesë e shlyer në paraburgim dhe tjetra ende.
Vendimi i Apelit
Të pandehurit ushtruan të drejtën e ankimit në Gjykatën e Apelit, por pas shqyrtimit, kjo gjykatë vendosi:
- Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri F.F.;
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
- Ngarkimin e të pandehurve me shpenzimet gjyqësore edhe për gjykimin në apel.
Vendimi u shpall sot, më 16 shtator 2025, në Tiranë dhe tashmë është i formës së prerë.
Me këtë vendim Dako duhet të rikthehet në burg për pjesën e pashlyer të dënimit prej 10 ditësh. Pjesa tjetër, duke i caktuar pezullim me 4 vite shërbim prove, gjykata e shkallës së parë i dha një shans ish kryebashkiaku të jetë sërish i lirë por me kusht të mos kryej vepra penale.
Arrestimi i Vangjush Dakos 2023
- Data e arrestimit: 6 qershor 2023. Dako u arrestua nga SPAK (Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), së bashku me ish-zyrtarë të Bashkisë së Durrësit dhe një ndërtues.
- Akuzat: “Shpërdorim detyre” në dy raste kryesore:
- Për lejimin e ndërtimit të një pallati në Durrës, që filloi me leje për 7 kate në vitin 2010, por më pas janë shtuar kate pa dokumente të rregullta, ndërkohë që pallati u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019.
- Për tenderin e projektimit/zbatimit të Shëtitores Bregdetare dhe Plazhit Publik nga Bërryli deri në Currila, ku u dyshua se ka pasur shkelje të ligjit të prokurimit dhe një dëm për buxhetin e shtetit rreth 18 milionë lekë.
- Masa e sigurisë fillestare: Në fillim iu vendos masa e “arrestit me burg”. Gjykata, pastaj Apeli dhe Gjykata e Lartë vunë këtë masë në fuqi, duke refuzuar kërkesat për masa më të lehtë sigurie nga ana e Dakos.
Lirimi nga paraburgimi / ndryshimi i masës së sigurisë
- Dako u lirua nga burgu: 27 shkurt 2024. Një gjykatë vendosi të lirojë Dakon nga qelia, pasi ishin kaluar afatet ligjore të paraburgimit.
- Kushtet e lirimit:
- U vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi” (arrest shtëpie).
- Ndjekje 24-orëshe me mbikëqyrje policore në vendbanimin e tij.
- Arsyet për lirimin: Kalimi i afateve të paraburgimit. Gjykata konstatoi se kishte mbaruar afati ligjor për qëndrimin në paraburgim pa përfunduar hetimet paraprake. Kjo e bëri të pavlefshme masën “arrest në burg” pa qëndrueshmëri ligjore më tej, për këtë u ndryshua masa sigurimi.
Lexo më shumë