Tryezat e organizuara nga Ministria e Drejtësisë duken krejt formale pasi kushtëzojnë praninë efektive të avokatëve. Teksa ata ndodhen në procese gjyqësore të programuara, ftohen me një e-mail brenda pak orëve apo maksimumi një dite për të qenë të pranishëm.
Sipas dokumenteve të siguruara nga WebLajm.com, rezulton se 24 apo 48 orë përpara tryezës ata njoftohen me e-mail, pra Dhoma, e cila më pas duhet të njoftojë avokatët.
Agjenda e takimeve në Durrës
E premte, 19 shtator 2025
- 09:30 – 10:00 Regjistrimi i pjesëmarrësve
- 10:00 – 10:10 Hapja e takimit dhe moderimi i tryezës:
Znj. Xhulia KONDAKÇIU, Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit - 10:10 – 10:30 Fjalë përshëndetëse:
Z. Arben RAKIPI, Drejtues i Grupit të Punës për hartimin e Kodit të Ri Penal - 10:30 – 12:30 Diskutime lidhur me përmbajtjen e Kodit të Ri Penal në tërësi dhe dispozitat e tij.
Komente, pyetje dhe diskutime - 12:30 – 13:00 Konkluzione dhe mbyllja e takimit

Teksa këto takime mbahen në një muaj si shtatori, kur kanë nisur seancat gjyqësore, askush nuk merr parasysh oraret e punës së avokatëve.
Referuar edhe agjendës së të premtes, rezulton se tryeza e diskutimeve me Dhomën e Durrësit nis prej orës 09:00 të mëngjesit deri në 13:00, pra duke u shtrirë përgjatë gjithë orarit të funksionimit të gjykatave dhe përfaqësisë me mbrojtje.
Në një reagim për WebLajm.com, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë sqaroi se:
“Bazuar në procesin e deklaruar për konsultim publik, nga sa konstatohet, po bëhet mbi baza formale. Duke pasur parasysh rolin, veprimtarinë dhe pozicionin e avokatit si një nga palët e rëndësishme në procesin e drejtësisë, me keqardhje konstatohet menjanimi i konsultimit të projekt-kodit me Dhomën e Avokatisë në qendër dhe në bazë. Kjo në një kohë që Dhoma e Avokatisë ka kërkuar takim me grupin e punës të projekt-kodit. Gje që në këtë proces formal konsultimi mungon një koordinim midis Ministrisë, grupit të punës dhe Dhomës, ashtu siç ndodhi edhe me praktikën e mëparshme për diskutimin e hartës gjyqësore. Dhoma e Avokatisë ka kohë që ka ngritur grupin e punës për studimin dhe evidentimin e problemeve të projekt-kodit penal, material i cili do të bëhet prezent dhe do të merret vendim në organin më të lartë të saj, atë të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë. Dhoma shpreh shqetësimin dhe indinjatën që, me anë të një e-maili, njoftohet një ditë para për takime në tryeza, duke anashkaluar strukturat e Dhomës në qendër dhe në bazë. Dhoma e Avokatisë gjen rastin të distancohet nga çdo përfaqësim individual avokati apo grupi avokatësh që marrin atributet e përfaqësimit të dhomave lokale apo edhe të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë. Gjithashtu, Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë është e gatshme të ballafaqojë në diskutim problematikën e konstatuar në përmbajtjen e projekt-kodit penal me qëllimin e vetëm të finalizimit drejt miratimit të një Kodi Penal sipas standardeve të kërkuara nga BE.”
Lexo më shunë