Prokuroria e Durrësit ka paraqitur pretencën për një nga ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura vitin e kaluar, vrasjen e 52-vjeçarit Pëllumb Meta nga fëmijët e tij, në fshatin Shënavlash afro një vit më parë.
Kronologjia e ngjarjes
Sipas akuzës, më 12 shkurt 2024, në kuzhinën e banesës së familjes Meta, Hysen Meta ka qëlluar disa herë me armë zjarri ndaj të atit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur në prani të motrës së tij, Hygerta Meta, e cila akuzohet si bashkëpunëtore në krim.
Pas ekzekutimit, trupi i viktimës është mbështjellë dhe më pas është groposur pranë kasolles së bagëtive. Në këtë proces kanë ndihmuar edhe pjesëtarë të tjerë të familjes, të cilët sipas prokurorisë kanë bashkëpunuar në fshehjen e kufomës dhe zhdukjen e provave. Për disa ditë me radhë, familjarët kanë pretenduar se Pëllumb Meta ishte larguar nga banesa me vullnetin e tij, por hetimet rrëzuan këtë version.
Hetuesit kanë kryer eksperimente dhe rivizitë në vendin e ngjarjes, të cilat kanë vërtetuar se të gjithë të pandehurit kishin dijeni dhe rol në ngjarje.
Pretenca e Prokurorisë
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria kërkon:
- Burgim të përjetshëm për Hysen Metën, autorin kryesor të ekzekutimit;
- 30 vite burg për Hygerta Metën, e akuzuar si bashkëpunëtore në vrasje dhe në fshehjen e kufomës;
- 5 vite burg për Amarildo Metën, për ndihmë në fshehjen e trupit dhe pengimin e drejtësisë;
- 3 vite burg për Blerina Metën, bashkëshorten e viktimës, e cila akuzohet se ka ndihmuar në zhdukjen e provave dhe pengimin e zbardhjes së ngjarjes.
Procesi gjyqësor ndodhet në fazën e fundit, ndërsa vendimi i Gjykatës pritet të shpallet në seancat e ardhshme.
Lexo më shumë