Andi Mahila, i cili prej vitesh ka qenë zyrtar i lartë në Ministrinë e Brendshme, është shkarkuar sot nga detyra nga eprorja e tij, znj. Albana Koçiu.
Shkak për shkarkimin është bërë shkelja e ligjit antiduhan nga zv.ministri. Propozimi për shkarkim i është përcjellë qeverisë shqiptare dhe pritet akti formal.
Burime për Weblajm.com bëjnë me dije se Mahila është kapur duke pirë cigare në një ambjent publik.
Znj. Koçiu ka marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme, duke u bërë gruaja e parë në historinë e shtetit shqiptar që mban këtë post.

Reagim i Ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu në fb:
Konfirmoj sa ka dalë në shtyp lidhur me largimin e zëvendësministrit.
Kam marrë një denoncim nga një bashkatdhetari ynë në New York, i cili bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zv.ministri i Brendshëm tymoste cigare në restorant.
Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova zv.ministrit largimin nga detyra.
Çdokush mund të gabojë padashje dhe mund të mirëkuptohet, por të pish cigare brenda në lokal nuk është një gabim padashje, po një shkelje e pajustifikueshme e ligjit. Aq më tepër për një drejtues të një institucioni si Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga ana ime e kam njoftuar bashkëatdhetarin që dërgoi mesazhin, se shqetësimi i tij i drejtë nuk ra në vesh të shurdhër.
I siguroj të gjithë qytetarët, që do të denoncojnë shkelje të cilitdoqoftë, se do të dëgjohen me të njëjtin respekt. Jo vetëm me fjalë por me qëndrimet parimore, që ata me plot të drejtë presin prej nesh.