Pas vetëshpalljes së kandidaturës, aktori i njohur Florjan Binaj ka marrë edhe mbështetjen e PD-së për zgjedhjet lokale të 9 nëntorit në Tiranë.
Me këtë konfirmim të profilit të Binajt, PD dhe opozita pritet të kenë stilin e Beppe Grillo-s, i cili në Itali arriti të fitojë kryeqytetin Romë me lëvizjen Cinque Stelle.
Mbështetja nga PD është e dyta pas lëvizjes Shqipëria Bëhet të Adriatik Lapajt, ndërsa pritet që edhe partitë e tjera opozitare të japin një qëndrim.
Binaj u vetëshpall kandidat, ashtu si Ermal Hasimja dhe disa figura të tjera, ndërsa mori mesditën e kësaj të hëne “OK”-in e liderit të opozitës, z. Sali Berisha.
Në këtë garë, përballë tij është një politikane e cila ka pasur karrierë edhe në poste drejtuese qeveritare, ish-ministrja Ogerta Manastirliu, e kandiduar nga mazhoranca.
Tirana hyn në zgjedhje pas shkarkimit të Erion Veliajt, ndërsa dekreti i zgjedhjeve është ende në pritje të një vendimmarrjeje nga Gjykata Kushtetuese.
Profili i 40-vjeçarit nga humori në frontin e kryeqytetit
I njohur për publikun shqiptar përmes karrierës së tij në televizion, ai nuk ka pasur më parë poste publike.
Karriera e tij nisi në fillim të viteve 2000 në një spektakël humori, ku për më shumë se 15 vite interpretoi personazhe që u bënë pjesë e kulturës popullore.
Pas largimit nga spektakli i humorit, Binaj nisi një etapë të re si moderator.
Përveç aktivitetit në media, Binaj është përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në nisma të shoqërisë civile, kryesisht në fushën e mjedisit dhe të drejtave qytetare.
Ai ka marrë pjesë në protesta dhe ka mbajtur qëndrime publike.
Binaj është i martuar dhe ka dy fëmijë
