Avokatët janë solidarizuar me kolegët e tyre në kujtim të të ndjerit magjistratit Astrit Kalaja, i vrarë një ditë më parë në sallën e gjyqit, teksa shpallte vendim në emër të Republikës.
Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë ka vendosur që më datë 9-10 tetor të bojkotojë çdo proces hetimor dhe gjyqësor.
VENDIM
KOMITETI DREJTUES I DHOMËS SË AVOKATISË SË SHQIPËRISË
Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë përcjell me shumë shqetësim ngjarjen lidhur me vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, z. Astrit KALAJA, si ngjarjen më të rëndë dhe të paprecedentë të ndodhur ndonjëherë në sistemin e drejtësisë.
Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë vendosi njëzëri që të bojkotojë të gjitha proceset hetimore dhe ato gjyqësore, për çështjet penale, civile dhe administrative, në të gjitha nivelet e gjykimit, për datat 9 dhe 10 tetor 2025.
Ky bojkot është një thirrje për të gjithë opinionin, politikën shqiptare, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, si dhe palët ndërgjegjëse, që të angazhohen me përgjegjësinë maksimale për sigurimin e jetës dhe shëndetit, si dhe të veprimtarisë dhe aktivitetit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve në ushtrimin e detyrave të tyre në realizimin dhe funksionimin e drejtësisë.
Ky vendim nuk i shtrin efektet e tij për masat e sigurimit në procesin penal.
Urdhërohen të gjithë kryetarët e Dhomave Vendore të Avokatisë për ekzekutimin e këtij vendimi.
KRYETARI
Prof. Dr. Maksim HAXHIA
Njoftim për ndërprejrje të procesve gjyqësore njoftoi edhe vetë gjykata e apelit
Njoftim
Për shkak të pjesëmarrjes në homazhet , që do të zhvillohen në nderim të kolegut tonë të paharruar Z. Astrit Kalaja, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm (dhomat penale dhe civile) janë në pamundësi të zhvillojnë gjykimet e planifikuara nga datat 07.10.2025-10.10.2025, përvec gjykimeve me karakter urgjent (masa sigurimi).
Ju faleminderit për mirëkuptimin!
Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, të Juridiksionit të Përgjithshëm.