Pas Tiranës, me kandidaturën e Ogerta Manastirliut, Partia Socialiste ka zyrtarizuar emrat e kandidatëve për kryetarë bashkish që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale më 9 nëntor. Ndër ta, për Bashkinë Tepelenë është zgjedhur Gramos Sako, ndërsa për Bashkinë e Matit kandidati është Altin Bojni. Për Bashkinë e Vlorës, PS ka zgjedhur Brunilda Mersinin, ndërkohë që kandidatura për Bashkinë e Cërrikut i është besuar Florenc Dokës. Një tjetër kandidaturë është ajo e Ervin Cecës për kryetar të Bashkisë së Beratit.
Në këto zgjedhje, PS hyn me 2 gra dhe 4 burra si kandidatë për kryetarë bashkish.
Gra:
- Ogerta Manastirliu (Tiranë)
- Brunilda Mersini (Vlorë)
Burra:
- Gramos Sako (Tepelenë)
- Altin Bojni (Mat)
- Florenc Doka (Cërrik)
- Ervin Ceca (Berat)
Gramos Sako – Një karrierë në shërbim të shtetit shqiptar /Profili i Gjeneralit që kthehet në vendlindje
Gramos Sako, 54 vjeç, lindur më 19 janar 1971 në Nivicë Tepelenë, është një prej figurave më të njohura të sigurisë shtetërore në Shqipëri, me një karrierë të gjatë dhe të spikatur në strukturat e Gardës së Republikës dhe institucione të tjera publike e private. Prej më shumë se tri dekadash, ai ka qenë në vijën e parë të mbrojtjes së institucioneve shtetërore dhe personaliteteve më të larta të vendit.
Rruga e tij akademike nisi në Akademinë e Forcave Tokësore “Skënderbej”, ku u diplomua në vitin 1993. Ai e thelloi më tej formimin e tij profesional në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari”, ku mori diplomën si Specialist i Lartë Policie në vitin 2002. Në vijim, z. Sako përfundoi me sukses studimet master në të drejtë penale pranë Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, duke kombinuar përvojën në terren me një përgatitje të thelluar teorike. Gjithashtu, ai ka ndjekur kurse të specializuara ndërkombëtare, si trajnimi për “Operacionet e Mbrojtjes” nga Qeveria e SHBA.
Karriera e tij nisi në vitin 1993 si Komandant Toge në Batalionin e Dytë të Gardës së Republikës, për të kaluar më pas në disa pozicione drejtuese, përfshirë atë të Komandant Postë, Zv.Komandant Kompanie, dhe Përgjegjës grupi pranë Ministrit të Brendshëm. Kontributi i tij kulmoi me detyra kyçe si Shef Seksioni, Përgjegjës grupi me Kryetarin e Kuvendit, si dhe Specialist në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit.
Në sektorin privat, gjatë viteve 2009–2013, ai shërbeu si Menaxher Projekti pranë kompanisë Kadria Sh.p.k, ku fitoi përvojë të vlefshme menaxheriale jashtë strukturave shtetërore.
Në tetor të vitit 2013, Gramos Sako u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, një detyrë që e mbajti me integritet dhe përkushtim deri në maj të vitit 2024. Gjatë kësaj periudhe, Garda nën drejtimin e tij mori vlerësime të shumta për organizimin e shkëlqyer, profesionalizmin dhe korrektesën në shërbim. Kontributi i tij u kurorëzua me gradën “Gjeneral” nga Presidenti i Republikës në vitin 2016, si dhe me Medaljen “Për shërbime ushtarake”, një vlerësim i lartë për përkushtimin dhe kontributin e tij të vazhdueshëm.
