Pallati Shqipëria në qendër të Begodradit shitet për 10 milionë euro
Gjysma e një prej ndërtesave më ikonike të Beogradit, e quajtur “Palata Albanija” (Pallati Shqipëria), është shitur për 10 milionë euro. Mediat serbe njoftojnë se Agencia e Depozitave pritet të finalizojë transaksionin e shitjes për 7 nga 13 katet e godinës, të cilët kanë një sipërfaqe prej 3324 metër.

Agjencia Serbe e Depozitave u caktua si administratori i falimentimit për pronën, e cila zotërohej nga Banka e Beogradit, që falimentoi në vitin 2002 si pasojë e një ristrukturimi në shkallë të gjerë të sistemit financiar serb.
I pozicionuar në qendër të Beogradit “Palata Albanija” është një nga ndërtesat simbol të Serbisë. Ajo është ndërtuar në vitin 1939 duke qenë grataçela e parë në Europën Juglindore me një lartësi prej 13 katësh.

Për emrin e kësaj ndërtesë ka disa versione. Njëri prej tyre thotë se godina u quajt Pallati Shqipëria për shkak se aty takoheshin ish ushtarët serbë, të cilët i mbijetuan ushtrisë së Von Mackensenit dhe u tërhoqën në brigjet e Adriatikut për t’u rikhtyer në Serbi përmes Shqipërisë. Ky është varianti që promovon Beogradi zyrtar.
Një tjetër variant thotë se ndërtesa mori këtë emër për shkak të një kompanie shqiptare sigurimesh të quajtur “Osiguravajuće društvo Albanija”, e cila financoi ndërtimin e godinës dhe ishte pronarja e parë e saj.
Por një tjetër version shpjegon se përpara ndërtimit të Palata Albania, në atë vend ka ekzistuar një kafe që quhej Kafe Shqipëria, e cila zotërohej nga një shqiptar që jetonte në Beograd.
Marrë nga Kapitali


































































































