Në një dekadë ku shqiptarët kanë fituar postet drejtuese në trafikun e kokainës në Amerikën Latine. Ka patur një çmim të lartë që është paguar. Plot 8 viktima janë dokumentuar në një dekadë, e sipas hetuesve shumica e këtyre krimeve lidhen me rivalitetin mes grupeve dhe prishjet e pazareve.
Nga hetimet e policive të vendeve përkatëse, në shumicën e rasteve janë arrestuar vrasës me pagesë, ndërsa motivi publik ka qenë ai i larjes së hesapeve mes grupeve rivale shqiptare.
Maj 2017 Guayaquil Ekuador
Ngjarja e rëndë e dyshuar me prapavijë përplasjet në trafikun e pluhurit të bardhë daton 8 vite më parë në Ekuadorin e largët.
Ilir Hidri u vra dhe pak muaj më pas, në pranga në Maqedoninë e Veriut ra një tjetër shqiptar i dyshuar si autor i këtij krimi – ai ishte Remzi Azemi.
Gjatë ekzekutimit të Hidrit, i plagosur nga plumbat mbeti edhe nipi i tij që ndodhej në shoqëri me Ilirin.
Mars 2018 – Guayaquil, Ekuador
Viktimat: Fadil Kaçaniç (malazez) dhe gruaja e tij ekuadoriane Elsa G.
Ngjarja u raportua si rrëmbim dhe ekzekutim me plumb në kokë nga persona të veshur si policë.
Prill 2018 – Bogotá, Kolumbi
Viktima e radhës do të ishte: Adriatik Lagji (nga Borshi i Sarandës). Ai u ekzekutua në kryeqytetin kolumbian. Adriatik Lagji njihej edhe me emrin Andrea, ndërsa ekzekutimi i tij u bë me dy plumba.
Edhe pse s’u provua askund një lidhje gjyqësore e dokumentuar, vrasja e Lagjit ndodhi pak javë pasi në Shqipëri u kap sasia e parë rekord prej 613 kg kokainë. Sasi për të cilën drejtësia ka akuzuar dhe dënuar biznesmenin Arbër Çela.
2019 – Fortaleza, Brazil
Pa një lidhje direkte me drogën, të paktën deri në këtë fazë, shqiptari 28-vjeçar Alban Gropçaj do të ekzekutohej në Brazil në vitin 2019.
Ngjarja u raportua si një grabitje e kamionit, por hetimet dhe provat zbuluan se pas vrasjes qëndronte punëdhënësi i tij italian dhe një grua braziliane – vrasje kjo e kryer nga ekzekutorë me pagesë.
Dhjetor 2020 – Brazil
Biznesmeni me aktivitet tregtar në Pragë, Ilir Zeka, asokohe 47 vjeç, do të ekzekutohej në Brazil.
Ende nuk ka një pistë të dokumentuar të kësaj vrasjeje, ndërsa media braziliane raportoi disa versione, mes tyre edhe përfshirjen në ndihmesën e një të burgosuri për t’u arratisur.
Nëntor 2020 – La Aurora, Ekuador
Në një vilë luksoze në Ekuador, Adriatik Tresa do të ishte viktima e radhës pak para ndërrimit të viteve 2020-2021.
Në nëntor 2020, autorë të kamufluar si policë arritën të thyejnë perimetrin e sigurisë së vilës dhe sistemin e survejimit, duke ekzekutuar Treskën brenda vilës.
Ndaj Treskës drejtësia ekuadoriane kishte disa hetime, mes tyre edhe atë të pastrimit të parave.
22 janar 2022 – Guayaquil, Ekuador
Pak ditë pas nisjes së vitit të ri 2022, teksa shijonte vaktin në një nga restorantet luksoze të Ekuadorit, i riu nga Durrësi, Ergys Dashi, do të ekzekutohej.
Për autoritetet ekuadoriane, Dashi konsiderohej si një profil i lartë në biznesin e trafikut të kokainës, ndërsa vrasësi i dyshuar iu afrua Dashit pasi kishte kamufluar pistoletën në një buqetë lulesh.
Tetor 2025 – Komuna Bello, Medellín, Kolumbi
Ky muaj do të shënonte edhe vrasjen e radhës. Më 6 tetor 2025, në Komunën Bello, Medellín, Kolumbi, shqiptari Artur Tushi do të ekzekutohej.
Një vrasës i dyshuar, sipas mediave kolumbiane, është afruar dhe e ka pyetur Tushin për emrin, e më pas e ka qëlluar me një armë pistoletë.
Autori i dyshuar është një shtetas venezuelian, ndërsa në këtë atentat mbeti e plagosur edhe një kalimtare 77 vjeçe.














































































































