Në strukturën e re të Policisë së Shtetit, Departamenti i Policisë Kriminale do të jetë super struktura nga ku do të varen jo vetëm 5 drejtoritë qëndrore por edhe ato të Policive vendore në rang vendi.
WebLajm.com ka siguruar strukturën e re ku krijohet Departamenti për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda. Kjo strukturë do të jetë në kohë reale e lidhur jo vetëm ke SPAK, Prokurinë e Posaçme por po ashtu edhe me Partnerët Ndërkombëtar.

Struktura është e ndarë në disa drejtorira dhe seksione, të cilat përfshijnë:
- Departamenti për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda:
- Ky është departamenti kryesor që mbikëqyr hetimet dhe veprimtaritë e krimit të organizuar dhe krimeve të tjera të rënda.
- Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve:
- Pjesë e këtij departamenti, kjo drejtori merret me hetimin e krimeve të lidhura me narkotikët dhe trafikimin e tyre.
- Kjo drejtori ka sektorë të ndryshëm që përfshijnë hetime të narkotikëve dhe trafikut ndërkombëtar.
- Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare:
- Merret me hetimin e krimeve që lidhen me fushat ekonomike dhe financiare, si pastrim parash dhe korrupsion.
- Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda:
- Fokusohet në hetimet e krimeve të rënda, përfshirë krimet e dhunshme dhe krimet ndërkombëtare.
- Drejtoria e Europolit:
- Ky sektor bashkëpunon me Europolin dhe ka sektorë që përfshijnë inteligjencën operacionale dhe mbështetje për hetimet ndërkombëtare.
- Sektori i Forcave të Posaçme dhe Operacioneve:
- Merret me operacionet speciale dhe hetimet që kërkojnë forcë të posaçme.
Secili sektor është i dedikuar për aspekte specifike të hetimeve, nga krimet ekonomike deri te ato të dhunshme, si dhe bashkëpunimi me agjenci ndërkombëtare si Europol.
Ky draft por edhe struktura e Drejtorisë së Përgjithshme u prezantuan sot edhe në praninë e oficerëve të kontaktit të policive partnere.
Në fjalën e tij Kryepolici Proda e cilësoi strukturën e re si një transformim i funksionimit të policisë shqiptare.
Deklarata Zyrtare e Policia e Shtetit
Ditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua takimi mes drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, drejtuesve të programeve dhe projekteve që asistojnë Policinë e Shtetit dhe Oficerëve Policorë Ndërlidhës të atashuar në vendin tonë.
Takimi, me qëllim informimin mbi riorganizimin e brendshëm të Policisë së Shtetit, në mbështetje të ligjit nr.82/2024 “Për Policinë e Shtetit” dhe në përputhje me detyrimin ligjor për përshtatjen e strukturave të Policisë së Shtetit, për të luftuar me efikasitet format e reja, të avancuara dhe dinamike të kriminalitetit.
Në fjalën e rastit Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, falënderoi të pranishmit dhe ndër të tjera theksoi:
“Ky është një moment domethënës, si dhe një vendimmarrje e rëndësishme në rrugën e modernizimit, forcimit institucional dhe rritjes së efikasitetit të Policisë së Shtetit në shërbim të qytetarëve dhe në luftë ndaj krimit.
Reformat që po ndërmarrim nuk janë vetëm ndryshime strukturore, por një transformim i mënyrës së funksionimit të Policisë së Shtetit, me synim të qartë, forcimin e kapaciteteve profesionale, përmirësimin e reagimit ndaj sfidave të reja të sigurisë dhe garantimin e një policie më të afërt, më transparente dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarit.
Unë e çmoj shumë këtë mundësi për ta prezantuar dhe diskutuar këtë proces me partnerët tanë ndërkombëtarë, sepse Policia e Shtetit ka qenë dhe mbetet e hapur për bashkëpunim pa barriera, për shkëmbim idesh, eksperiencash dhe kontributesh të përbashkëta.
Besoj fort se suksesi në përballimin e sfidave të sigurisë nuk është individual, por kolektiv. Ai ndërtohet mbi besim, koordinim dhe partneritetin e qëndrueshëm.
Në këtë frymë, dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen e vazhdueshme dhe për kontributin konkret që keni dhënë në procesin e modernizimit të Policisë së Shtetit.”
Struktura u prezantua nga Drejtoresha e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore Drejtues Anisa Duçkollari, e cila bëri prezente ndryshimet propozuara nga çdo strukturë.
Në fjalën e tij, Drejtori i Departamentit për Policinë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati informoi partnerët mbi arsyet e ndryshimeve në këtë departament, me qëllim transformimin në një strukturë sa më efikase në luftë ndaj krimit të organizuar dhe krimeve globale.
Përfaqësuesit e misioneve dhe oficerët e kontaktit u shprehën të kënaqur për takimin, si dhe për vënien në dispozicion të materialit shpjegues për ndryshimet në strukturë. Gjithashtu, ata shprehën gatishmërine ë tyre, për të marrë pjesë aktivisht, nëpërmjet mendimeve dhe sugjerimeve, në procesin e modernizimit të mëtejshëm të strukturave të Policisë së Shtetit.

















































































































