Ryanair ka njoftuar hapjen e 100 vendeve të reja të punës për stjuardesa dhe stjuardë në bazën e re në Tiranë, që do të nisë operimet gjatë verës 2026.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mirëpret këtë nismë të re që shënon një hap të rëndësishëm në zgjerimin e pranisë së Ryanair në Shqipëri dhe në krijimin e mundësive të reja për punësim në sektorin e aviacionit.
Ky zhvillim vjen si pjesë e strategjisë afatgjatë të kompanisë për rritje të qëndrueshme dhe synimit për të transportuar mbi 300 milionë pasagjerë deri në vitin fiskal 2034, të mbështetur nga kërkesa e lartë për fluturime me tarifa të ulëta, rrjet i gjerë destinacionesh dhe shërbime cilësore.
Në bashkëpunim me partnerin e saj të rekrutimit, Crewlink, Ryanair do të organizojë një event rekrutimi në Tiranë të martën, më 18 nëntor, ku kandidatët e interesuar do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë rreth kompanisë, operimeve dhe përvojës së punës si pjesë e ekipit të kabinës në një nga grupet ajrore më të mëdha në Evropë.
Gjatë këtij eventi, të pranishëm do të jenë përfaqësues nga ekipet e Rekrutimit dhe Inflight të Ryanair, të cilët do të ndajnë eksperiencat e tyre direkte mbi punën si pjesë e stafit të kabinës, përgjegjësitë e rolit dhe përfitimet që ofrohen, përfshirë paketa konkurruese page dhe zbritje në udhëtime drejt mbi 235 destinacioneve të rrjetit të kompanisë.
Kandidatët që përzgjidhen do të përfitojnë nga një orar pune fleksibël (5 ditë punë – 3 ditë pushim), mundësi të shpejta zhvillimi profesional brenda kompanisë dhe një karrierë të qëndrueshme në industrinë ajrore.
Në vijim të investimeve të tij, Ryanair parashikon që në 5 vitet e ardhshme të vazhdojë të zgjerojë prezencën në Shqipëri, me deri në 6 avionë të bazuar në Tiranë (investim prej 600 milionë dollarësh), mbi 20 destinacione të reja dhe rritje të trafikut pasagjerësh në mbi 5 milionë në vit, duke mbështetur kështu rreth 4,000 vende pune deri në vitin 2030.
Këto zhvillime do të jenë të mundura për sa kohë që Shqipëria ruan politikën e kostove të ulëta të aksesit dhe mungesën e taksave ajrore, të cilat stimulojnë rritjen e trafikut dhe turizmit në vend.
Për më shumë detaje dhe regjistrim në eventin e rekrutimit, vizitoni careers.ryanair.com.
Duke komentuar për këtë nismë, Drejtoresha e Komunikimit të Ryanair, Jade Kirwan, u shpreh:
“Jemi të kënaqur të njoftojmë hapjen e 100 vendeve të reja të punës për stjuardesa dhe stjuardë në bazën tonë të re në Tiranë, që do të mbështesin operimet tona gjatë sezonit të ngarkuar veror 2026.
Ftojmë të gjithë të interesuarit që duan t’i bashkohen Ryanair – kompanisë më të madhe ajrore në Evropë me çmime të ulëta dhe mundësi të shpejta zhvillimi – të marrin pjesë në eventin e rekrutimit që do të mbahet të martën, më 18 nëntor, për të takuar ekipet e rekrutimit dhe të fluturimit dhe për të mësuar më shumë mbi këto role emocionuese. Regjistrimi është i hapur në careers.ryanair.com.”
TIA mirëpret këtë investim të ri të Ryanair në tregun shqiptar, i cili jo vetëm që krijon mundësi të reja punësimi, por gjithashtu forcon rolin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës si një qendër rajonale në zhvillim për fluturime me tarifa të përballueshme dhe shërbime të cilësisë së lartë.















































































































