Fshihej në Florida Amerikë, Kamer Duhanxhiu do të përballet me drejtësinë për vrasjen e 26 viteve më parë në Asti të Italisë. Duhanxhiu ka vrarë shqiptarin Lleshi duke e goditur 17 herë me thikë. Ai u identifikua në SHBA nga policia Italiane dhe u arrestua.
Ekstradimi i tij në tiranë është provizor pasi do të dërgohet në Itali për tu përballur me drejtësinë për krimin e kryer atje.
Po ashtu ai është i dyshuar edhe për tentativën e vrasjes së Alket Xhepaxhiut në vitin 1999.
Policia e Shtetit
Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet Fast Albanias të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë/Zyrën e Hetimeve Kriminale në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në koordinim të veprimeve të përbashkëta me Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale Italiane – Shërbimi i Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar dhe Zyrën e Ekspertëve të Sigurisë në Tiranë, prej shumë kohësh, ka bashkëpunuar duke shkëmbyer informacion lidhur me shtetasin shqiptar:Kamer Duhanxhiu 44 vjeç.Ky shtetas, në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 1999, është dënuar nga autoritetet italiane, me 30 vjet burgim për veprën penale “Vrasja”, mbetur në tentativë dhe “Vrasja në rrethana cilësuese”, ngjarje të ndodhura në vitin 1999 në Asti, Itali.Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet këtyre agjencive partnere ligjzbatuese në Shqipëri dhe Itali, si dhe të Agjencisë për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare (ICE) në Shtetet e Bashkuara, shtetasi Kamer Duhanxhiu, i cili fshihej në SHBA prej shumë vitesh, ishte arrestuar më herët, këtë vit, në Florida. Pas përpjekjeve të përbashkëta koordinuese ndërmjet këtyre agjencive, ai u deportua nga SHBA, me fluturim çarter, në Tiranë, më datë 19.11.2025. Sapo mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza”, ai u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë, bazuar në urdhrin e arrestit ndërkombëtar/kartelën e kuqe të Interpolit, të lëshuar nga autoritetet italiane.Ky shtetas do të përballet me dënimin e tij 30-vjeçar, në Itali.Policia e Shtetit, edhe një herë, gjen rastin të vërë në dukje një tjetër operacion të suksesshëm në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet agjencive partnere ligjzbatuese.













































































































